Kryetari i PDK-së, Memli Krasniqi, ka falënderuar kryeministrin e Shqipërisë, Edi Ramën, i cili sot ka takuar sot ish-presidentin e Kosovës, Hashim Thaçin, në Dhomat e Paraburgimit në Hagë, shkruan GazetaScanner.
Rama, nëpërmjet një video-mesazhi në ‘Facebook’, pas vizitës njoftoi se ish-kreu i UÇK-së ishte në, siç e quajti ai, top formë dhe se ishte i bindur në drejtësi të plotë të Ushtrisë Çlirimtare.
Krasniqi thotë se “me vizitën e tij në Hagë, te Presidenti Hashim Thaçi, ai u kujdes për Kosovën dhe na rikujtoi se vlerat tona solidare janë të përtejkufijshme – siç ishin edhe në ditët më të vështira kur populli shqiptar i Kosovës po luftonte për lirinë e tij”.
Postimi i plotë:
Falemnderit nga zemra Kryeministrit Edi Rama për kujdesin vëllazëror që po tregon ndaj Kosovës. Sot, me vizitën e tij në Hagë, te Presidenti Hashim Thaçi, ai u kujdes për Kosovën dhe na rikujtoi se vlerat tona solidare janë të përtejkufijshme – siç ishin edhe në ditët më të vështira kur populli shqiptar i Kosovës po luftonte për lirinë e tij.
Kjo vizitë është nderim i lartë ndaj vlerave më të shenjta kombëtare e të historisë më kuptimplotë të popullit shqiptar – luftës së drejtë të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, për mbrojtën e të cilave djemtë e saj po e bëjnë edhe një betejë.
Duke i kujtuar fjalët e Presidentit Thaçi, në letrën e tij për ju, z. Rama, shpresoj që sa më parë të takoheni duke frymuar nën qiellin e bukur dhe diellin që ngroh Shqipërinë dhe Kosovën./Scanner/