Shqipëria, Serbia dhe Maqedonia e Veriut po i kompensojnë ngecjet e tyre në rrugën e anëtarësimit në Bashkimin Evropian me nismën e përbashkët “Ballkani i Hapur”, thotë kryeakademiku i Kosovës, Mehmet Kraja.
Kraja vëren se BE-ja është në një situatë ku ka filluar të lodhet nga Ballkani Perëndimor dhe mosrealizimin e detyrave nga shtetet këndej që synojnë anëtarësimin.
Kryetari i Akademisë së Shkencave dhe Arteve e sheh si asimetrike aleancën ndërmjet Shqipërisë, Serbisë e Maqedonisë së Veriut. Sipas tij, “Ballkani i Hapur” po bëhet për të krijuar mjegull dhe për t’ia hapur Serbisë një treg unik nga i cili do të përfitonte shumë, shkruan Gazeta Express.
“Kjo është një aleancë asimetrike për mednimin tim, nuk është simetrike. Sepse aleanca është kryesisht personale midis Vuçiqit dhe Ramës. Zaevi shërben si patericë për t’ua mbajtur drejtpeshimin këtyre të dyve, ajo këmba e tretë që shkon prapa. Domethënë, arsyeja është e thjeshtë: për të krijuar mjegull dhe për të krijuar hapësirë për tregun, për të përfituar Serbia nga tregu unik ballkanik”, tha ai.
Kraja e sheh si pozitiv faktin që subjektet politike dhe krerët e institucioneve në Kosovë janë të gjithë kundër kësaj iniciative.
“Fakti që të gjitha partitë politike të Kosovës, të gjitha subjektet, të gjithë bartësit të institucioneve janë të njëzëshëm në këtë pikë, them se është shumë pozitive dhe nuk kemi çka të diskutojmë më tepër se kaq. Në kuptimin që, janë qartësuar gjërat rreth kësaj”, tha Kraja në një intervistë për RTK-në.
Për krahasimin mes “Ballkanit të Hapur” dhe Procesit të Berlinit, Kraja tha se mes këtyre të dyjave ka një dallim esencial i cili nuk është thënë deri tash. Ai foli edhe për idenë, që ai konsideron se e kanë kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama dhe presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq.
“Vetëm një gjë dua ta them, dhe kjo s’po thuhet. Ku dallon Ballkani i Hapur me Procesin e Berlinit? Ka një dallim esencial, të cilin duhet ta them. Në Procesin e Berlinit është paraparë që njëherë të përfshihen të gjashtë shtetet. Ballkani i Hapur nënkupton ‘ne jemi kryesorët, ju ejani bashkangjituni’”, tha Kraja. “Kjo është ideja e Ramës dhe Vuçiqit. Edhe Zaevit, por Zaevi është i parëndësishëm sepse prej sot s’është më as kryeministër. Pra, Ballkani i Hapur në këtë drejtim ka një ndryshim esencial me Procesin e Berlinit në trajtimin e barabartë, veçmas të Kosovës në këtë kuadër. Po të ishte Ballkani i Hapur sikurse Procesi i Berlinit, atëherë do të mblidheshin të gjashtë shtetet… Këtu është diferenca e saj”.
Ramën e përshkruan si tip mediatik që krijon situata të favorshme për veten me një “dhelpëri të përsosur”, por Kraja thekson se bashkëpunimi i tij me Vuçiqin do ta degradojë tregun e Shqipërisë.
“Ajo që do të prodhojë efekte negative do të jetë tregu i Shqipërisë që do të hapet ndaj prodhimeve të Serbisë, dhe prodhimeve pa doganë, dhe kjo do t’i bëjë konkurrencë shumë të madhe tregut italian dhe grek, por veçmas tregut italian me prodhime jocilësore”, tha ai.
Kraja e mori shembull krahasues të miellit që tha se Shqipëria e merr nga Italia, me miellin që tani e importon nga Serbia.
“Po e marrim vetëm miellin. Mielli që importohet në Shqipëri nga Serbia, ka proteina 9%. Mielli që vjen nga Italia në Shqipëri, ka proteina sipas standardit të BE-së: 12%. Asgjë s’do të ndodhë, do të fitojnë pak në çmime më të ulëta, por do ta degradojnë tregun e Shqipërisë”, u shpreh kryetari i ASHAK-ut.