Derisa numërimi i votave për kandidatët që garuan në zgjedhjet e 9 shkurtit për deputetë të Kuvendit të Kosovës, të premten mbrëma përfundoi në tërësi, në 38 Qendra Komunale të Numërimit, një tjetër proces po shkon drejt fundit. Fjala është për vlerësimin e pakove me fletëvotime nga jashtë.
“Nga data 9 shkurt, kur ka filluar vlerësimi apo verifikimi i pakove me fletëvotime nga votimi jashtë Kosovës dhe deri më 21 shkurt, këtij procesi i janë nënshtruar 54,409 pako, prej të cilave janë aprovuar 51,140 ndërkaq janë refuzuar 3,269”, tha ai.
I ka bërë të ditura edhe arsyet se përse janë refuzuar këto dërgesa.
“Ato janë dërguar nga persona që janë anuluar gjatë regjistrimit si votues jashtë Kosovës, u mungon dëftesa e regjistrimit, janë dërguar më shumë se një herë, kanë dërguar më shumë se një fletëvotim”, tha për RTKlive, zëdhënësi i KQZ-së, Valmir Elezi.
Siç ka bërë të ditur ai, procesit të vlerësimit do t’i nënshtrohen edhe 14 mijë e 306 pako me fletëvotime.
Gjatë periudhës së regjistrimit, nga 104 mijë e 924 shtetas të regjistruar për votim jashtë Kosovës, 84 mijë e 600, ishin regjistruar për të votuar përmes postës dhe 20 mijë e 324 të tjerë ishin regjistruar për votimin fizik në përfaqësitë diplomatike.
“Nga 20,324 në përfaqësi diplomatike kanë votuar 15 mijë e 352 votues, ndërkaq në votimin përmes postës KQZ ka pranuar rreth 69 mijë pako me fletëvotime”, tha Elezi.
Njoftoi se procesit të vlerësimit do t’i nënshtrohen edhe 14 mijë e 306 pako me fletëvotime.
Ndërkohë, një tjetër proces që pritet të fillojë gjatë javës së ardhshme është edhe ai i numërimit të votave me kusht dhe të personave me nevoja të veçanta.
Janë gjithsejtë 12 mijë e 801 fletëvotime me kusht që do t’i nënshtrohen procesit të numërimit, derisa vota që u dhanë nga persona me nevoja të veçanta me 9 shkurt, janë 2 mijë e 597, numërim i cili do të behet në Qendrën e Numërimit dhe Rezultateve./RTK/