Zëdhënësi i KQZ-së, Valmir Elezi, konfirmoi se nesër (e mërkurë, 17 qershor 2026) deri në mesditë, do të përmbyllet procesi i numërimit të të gjitha fletëvotimeve nga votimi jashtë Kosovës, përkatësisht votimi përmes postës.
Ai tha se “deri në përfundim të ditës së sotme do të procedohen 216 nga 223 kuti votimi ku janë sistemuar zarfet e supozuara me fletëvotime, ndërkaq kutitë e mbetura, 7 të tilla, do të fillojnë të numërohen mëngjesin e të mërkurës”.
“Njëkohesisht, KQZ do të fillojë me numërimin e fletëvotimeve që i takojnë votimit me kusht, i mundësuar në 52 vendvotime me kusht dhe ku janë evidentuar 8,751 votues dhe numërimi i fletëvotimeve nga votimi i personave me nevoja të veçanta, i mundësuar jashtë vendvotimeve dhe ku kanë qenë të regjistruar për këtë lloj votimi 3,144 votues”, shtoi Elezi.






