Komisioni Qendror i Zgjedhjeve ka sqaruar hapat që do të pasojnë pas përfundimit të numërimit të fletëvotimeve përmes postës, si dhe të atyre nga votimi me kusht dhe votimi i personave me nevoja të veçanta.
I pyetur nëse KQZ do t’i shpallë rezultatet përfundimtare menjëherë pas përfundimit të këtij procesi, zëdhënësi i KQZ-së, Valmir Elezi, ka bërë të ditur se kjo do të varet nga ekzistimi ose jo i ankesave lidhur me administrimin e numërimit në Qendrën e Numërimit dhe Rezultateve (QNR).
“Natyrisht se pas përfundimit të numërimit të të gjitha këtyre fletëvotimeve, KQZ do të presë afatin e ankesave lidhur me administrimin e numërimit në QNR, pasi palët kanë të drejtë të dorëzojnë ankesa brenda 48 orëve nga ndodhja e shkeljes së supozuar. Në rast se nuk do të ketë ankesa, KQZ është e gatshme për të proceduar me shpalljen e rezultateve përfundimtare, ndërsa nëse do të ketë ankesa, atëherë KQZ do të presë vendimmarrjen e institucioneve përkatëse dhe do të zbatojë vendimet nëse ato e obligojnë KQZ-në”, ka deklaruar Elezi.
Sipas tij, aktualisht KQZ ndodhet në fazën përmbyllëse të numërimit të fletëvotimeve që i përkasin votimit jashtë Kosovës, përkatësisht votimit përmes postës.
“Ashtu siç kemi planifikuar, numërimi i të gjitha fletëvotimeve nga ky votim do të bëhet në mesjavë dhe gjithashtu në numërim do të përfshihen edhe fletëvotimet nga votimi me kusht dhe nga votimi i personave me nevoja të veçanta”, tha ai.
Elezi theksoi gjithashtu se, sipas planit të aktiviteteve të miratuar nga KQZ në fillim të procesit zgjedhor, shpallja e rezultateve përfundimtare është planifikuar të bëhet deri më 26 qershor, ndërsa certifikimi i tyre deri më 6 korrik.
“Mund të themi se jemi në rrugë të mirë që kjo të bëhet më shpejt sesa këto planifikime”, u shpreh ai.
Po ashtu, Elezi bëri të ditur se pas përfundimit të këtyre numërimeve, KQZ do të rinumërojë deri në 10 për qind të vendvotimeve, fletëvotimet e të cilave janë numëruar më herët në Qendrat Komunale të Numërimit.
“Kjo masë kontrolli është marrë nga KQZ për të adresuar problemet e evidentuara në disa nga Qendrat Komunale të Numërimit gjatë numërimit të votave të kandidatëve për deputetë nga zgjedhjet e dhjetorit të vitit të kaluar dhe ka për qëllim të sigurohet që numërimi është zhvilluar me saktësi”, sqaroi ai.
Sipas të dhënave të KQZ-së, nga numërimi i fletëvotimeve me postë kanë mbetur edhe 83 kuti votimi, në të cilat janë sistemuar zarfet e supozuara me fletëvotime nga votimi me postë. Numri i përgjithshëm i këtyre pakove të aprovuara nga KQZ është rreth 83 mijë.
Në procesin e numërimit mbetet të përfshihet edhe një pjesë e vogël e fletëvotimeve që ende nuk janë numëruar. Bëhet fjalë për fletëvotimet e votimit me kusht, i cili është mundësuar në 52 vendvotime me kusht dhe ku janë evidentuar 8,751 votues, si dhe për fletëvotimet nga votimi i personave me nevoja të veçanta, ku për këtë kategori votimi janë regjistruar 3,144 qytetarë.






