Në reagim thuhet se Qeveria e Kosovës dhe shumica në Kuvendin e Kosovës, me vetëdije dhe në emër të reformave, synojnë të bëjnë të kundërtën e reformës, pra bllokimin dhe defunksionalizimin e sistemit prokurorial.
“KPK-ja thekson se miratimi i këtij ligji përbën mosrespektim dhe shkelje të hapur të parimeve kryesore të Deklaratës së Përbashkët të Zotimit, që, në vetvete, paraqet një lloj absurditeti të llojit të rrallë, ngaqë përbërja e Ekzekutivit aktual, gjegjësisht, Ministria e Drejtësisë, nuk po arrin assesi të shmangë qëndrimet politike në raport me sistemin prokurorial, duke mos përfillur sugjerimet e shumanshme dhe duke rënë në kundërshtim jo vetëm me kërkesat e bazuara të përfaqësuesve të KPK-së, por edhe me kërkesat dhe rekomandimet e përfaqësuesve të Bashkimit Evropian dhe organizatave vendore dhe ndërkombëtare”.
“Realisht, kjo tendencë e pushtetit, e zbuluar tashmë plotësisht, paraqet ndërhyrje rigoroze në sistemin prokurorial dhe në tërë sistemin e drejtësisë, duke përtërirë çdo ditë veprime dhe lloj-lloj farsash dhe insinuatash, me qëllimin e vetëm që në emër të kinse synimit të fuqizimit të llogaridhënies më të madhe në sistemin prokurorial, të arrihet ekuilibri i përbërjes me anëtarë prokurorë dhe joprokurorë, por që, në vetvete është tentim për kapjen dhe dirigjimin e KPK-së dhe Prokurorit të Shtetit dhe cenon mandatin kushtetues dhe pavarësinë e sistemit prokurorial, duke pamundësuar funksionalizimin e tij dhe duke e bërë atë lehtësisht të ndikuar nga politika”, thuhet në reagim.
Përfundimisht, Këshilli Prokurorial i Kosovës, potencon se mbetet i përkushtuar për të mbështetur proceset reformuese dhe angazhohet që së bashku me të gjithë partnerët vendorë dhe ndërkombëtarë, të bashkëveprojë në çdolloj nisme që ka për qëllim reformimin e nevojshëm, në mënyrë që të fuqizohet sundimi i ligjit në Kosovë dhe sistemi prokurorial të bëjë punën e vet të pavarur, profesionale, llogaridhënëse dhe transparente,” por njëkohësisht kërkon edhe respektimin e plotë të Kushtetutës së Republikës së Kosovës dhe mënjanimin e çfarëdo tendence për kapjen antikushtetuese të institucioneve të pavarura të vendit”.