Këshilli Prokurorial i Kosovës ka publikuar arsyetimin e vendimit për suspendimin e kryeprokurores së Prokurorisë Themelore në Pejë, Lumturije Vuçetaj, vendim ky i marrë dje, më 29 tetor 2026.
Vuçetaj është suspenduar menjëherë nga ushtrimi i detyrave zyrtare, me 50 për qind të pagës, deri në një vendim tjetër të KPK-së, transmeton lajmi.net.
Sipas arsyetimit të vendimit, Kryeprokurori i Shtetit, Zejnulla Gashi, i kishte kërkuar Këshillit fillimin e hetimeve disiplinore ndaj Vuçetajt, pas pranimit të një raporti nga Koordinatori për Dhunë në Familje në Zyrën e Kryeprokurorit të Shtetit.
Në raportin e datës 29 tetor 2026, sipas dokumentit, janë evidentuar veprimet dhe mosveprimet e kryeprokurores lidhur me trajtimin e kërkesave të të ndjerës A.Z.
Autoriteti kompetent ka vlerësuar se Vuçetaj, gjatë kohës sa ishte në krye të Prokurorisë Themelore në Pejë, kishte pranuar vazhdimisht kërkesa nga viktima dhe ishte në dijeni për urgjencën e tyre, përfshirë paralajmërimet se asaj po i rrezikohej jeta.
Ajo, sipas arsyetimit, ishte njoftuar edhe për raportet e prokurorëve që kishin trajtuar rastet ku viktima ishte palë e dëmtuar, si dhe për raportet zyrtare të Policisë lidhur me nivelin e rrezikshmërisë ndaj saj.
Për më tepër, në dokument thuhet se Vuçetaj ishte njoftuar edhe nga Këshilli Prokurorial i Kosovës dhe Zyra e Kryeprokurorit të Shtetit, të cilat kishin kërkuar trajtimin e kërkesave urgjente të viktimës.
Megjithatë, sipas vlerësimit të autoritetit kompetent, kryeprokurorja kishte dështuar të ndërmerrte veprimet e nevojshme prokuroriale, duke mos e marrë parasysh seriozitetin e kërkesave të parashtruara.
Këto veprime dhe mosveprime dyshohet se përbëjnë shkelje të Ligjit për Përgjegjësinë Disiplinore të Gjyqtarëve dhe Prokurorëve, konkretisht të dispozitave që lidhen me mosmarrjen e masave për mbrojtjen e jetës dhe sigurisë së dëshmitarëve apo palëve të dëmtuara.
Në arsyetim theksohet se, sipas autoritetit kompetent, neglizhenca e vazhdueshme në trajtimin e kërkesave urgjente të viktimës kishte çuar deri te pasojat fatale për të.
Kryeprokurori i Shtetit kishte rekomanduar suspendimin e Vuçetajt, duke e konsideruar këtë masë të nevojshme për të garantuar integritetin dhe efektivitetin e hetimeve disiplinore.
Këshilli Prokurorial i Kosovës e ka miratuar kërkesën në mbledhjen e mbajtur më 29 tetor 2026.
Me datë 29 tetor 2026 Autoriteti Kompetent, Kryeprokurori i Shtetit, z. Zejnulla Gashi, i ka paraqitur Këshillit Prokurorial të Kosovës kërkesë për fillimin e hetimeve disiplinore ndaj Kryeprokurores në Prokurorinë Themelore në Pejë, Lumturije Vuçetaj për shkak se më datë 29.10.2026 është vënë në dijeni për veprimet e Kryeprokurores Lumturije Vuçetaj në bazë të raportit A.nr.379/2026, i hartuar nga Koordinatori për Dhunë në Familje në Zyrën e Kryeprokurorit të Shtetit, e të cilat veprime vlerësuan se paraqesin shkelje disiplinore të parapara me Ligjin për Përgjegjësi Disiplinore të Gjyqtarëve dhe Prokurorëve (Ligji nr.06/L-057). Autoriteti kompetent, gjatë analizimit të detajuar të raportit A.nr.379/2026, të datës 29.10.2026, ka vlerësuar se Kryeprokurorja e Prokurorisë Themelore në Pejë, Lumturije Vuçetaj, gjatë gjithë kohës si Udhëheqëse e prokurorisë përkatëse kishte pranuar kërkesa nga pala e dëmtuar, tani e ndjera A.Z., ishte në dijeni për urgjencat e kërkesave të saj dhe me theks të veçantë se të njëjtës po i kanosej jeta, ishte në dijeni për të gjitha raportet nga prokurorët të cilët kanë trajtuar rastet ku e 1 ndjera ka qenë palë e dëmtuar, ishte e njoftuar edhe me raporte zyrtare policore lidhur me nivelin e rrezikshmërisë të cilën i kanosej të ndjerës A.Z., ishte e njoftuar përmes Këshillit Prokurorial të Kosovës, Kryesuesit Arian Gashi dhe Zyrës së Kryeprokurorit të Shtetit, ku këta të fundit në njoftimet e tyre kishin kërkuar trajtimin e kërkesave urgjente të palës, tani të ndjerë A.Z., por znj. Vuçetaj, kishte dështuar në ndërmarrjen e veprimeve prokuroriale që kërkohen me ligjin në fuqi, duke mos marrë parasysh seriozitetin e kërkesave të parashtruara. Andaj, Autoriteti Kompetent ka vlerësuar se znj. Vuçetaj me veprimet dhe mosveprimet e saj ka shkelur nenin 6, paragrafi 1, pika 1.3, paragrafin 2, pika 2.1 dhe pika 2.5 të Ligjit për Përgjegjësi Disiplinore të Gjyqtarëve dhe Prokurorëve, ku shprehimisht theksohet se “nuk merr parasysh të drejtat e dëshmitarëve ose palëve të dëmtuara, veçanërisht për të marrë masa për të mbrojtur jetën, sigurinë dhe privatësinë e tyre në përputhje me legjislacionin në fuqi”, dhe se si pasojë e neglizhencës së vazhdueshme të Kryeprokurores Lumturije Vuçetaj, në trajtimin e kërkesave urgjente të palës së dëmtuar, kishte ardhur deri te pasojat fatale për tani të ndjerën A.Z. Autoriteti kompetent ka analizuar veprimet e Kryeprokurores Lumturije Vuçetaj, e të cilat ka konsideruar se janë në kundërshtim me Ligjin për Përgjegjësi Disiplinore të Gjyqtarëve dhe Prokurorëve si dhe Kodin e Etikës dhe Sjelljes Profesionale për Prokurorë. Andaj, Autoriteti Kompetent, me datë 29 tetor 2026, sipas detyrës zyrtare i ka paraqitur Këshillit Prokurorial të Kosovës kërkesën për inicimin e procedurës disiplinore ndaj znj. Lumturije Vuçetaj, së bashku me rekomandimin për suspendimin e së njëjtës duke e konsideruar një gjë të tillë të nevojshme, marrë parasysh seriozitetin e shkeljes së supozuar disiplinore dhe të sigurohet integriteti dhe efektiviteti i hetimeve disiplinore. Këshilli Prokurorial i Kosovës në takimin e mbajtur me datë 29.10.2026 ka miratuar kërkesën e Kryeprokurorit të Shtetit, z. Zejnulla Gashi për fillimin e hetimeve disiplinore ndaj Kryeprokurores Vuçetaj dhe bazuar në legjislacionin në fuqi, vendosi si në dispozitiv të këtij vendimi.






