Deputetët e Kuvendit të Kosovës me 103 vota PËR kanë ratifikuar marrëveshjen ndërkombëtare që Kosova të jetë pjesë e Bordit të Paqes.
Ky ratifikim i marrëveshjes për Bordin, vjen pas vendimit që 22 pjesëtarë të Forcës së Sigurisë së Kosovës të jetë krah ushtrive, anëtarë të Bordit në Gaza.
Me 19 shkurti të këtij viti ish presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, kishte marrë pjesë në takimin e inaugurimit të Bordit të Paqes në Uashington të Shteteve të Bashkuara të Amerikës, ku i pranishëm ishte edhe kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama.
Presidenti Donald Trump, duke i prezantuar liderët e pranishëm në atë mbledhje, të parën e Bordit të Paqes, kishte falënderuar edhe presidenten e Kosovës, Vjosa Osmani.
Një ndër pikat kryesore e atij takimi, ishte mbledhja e fondeve për rindërtimin e Gazës dhe ofrimi i ndihmës humanitare.
Në platformën e tij të mediave sociale Truth Social, Trump kishte njoftuar se 5 miliardë dollarë (4.2 miliardë euro) janë premtuar tashmë nga anëtarët e Bordit.
Deri në dhjetor, 20 vende kishin konfirmuar se do të jenë pjesë e Bordit. Ndër to, Kosova, Shqipëria, Bullgaria dhe Hungaria janë të vetmet vende europiane që janë bashkuar.
Italia, Qipro, Greqia dhe Rumania dhe Bashkimi Evropian, kanë vendosur të bashkohen si vëzhgues, që do të thotë se nuk do të marrin pjesë në vendimmarrje.
Presidentja e Komisionit Evropian Ursula von der Leyen në vend të kësaj do të dërgojë Dubravka Suica, komisioneren evropiane për Mesdheun.
Sidoqoftë, presidentja Osmani pas nënshkrimit të Kartës të Bordit të Paqes më 22.01.2026 ka bërë të ditur se kjo marrëveshje historike, siç e quan ajo, do t’i dërgohet Kuvendit të Kosovës për ratifikim në përputhje me Kushtetutën e Kosovës, për të marrë miratimin final të përfaqësuesve të popullit e që ndodhi sot me 24 prill 2026.
Bordi i Paqes do të ketë një “Bord Ekzekutiv themelues” që përfshin Jared Kushnerin, Sekretarin e Shtetit Marco Rubio, të dërguarin special Steve Witkoff dhe ish-kryeministrin britanik Tony Blair.






