Kosova vazhdon të jetë e varur nga mallrat e huaja: Vetëm brenda një muaji bleu 668.5 milionë euro produkte, nga Serbia më shumë se nga Shqipëria

- Advertisement -

Kosova vazhdon të ketë një hendek të madh mes importeve dhe eksporteve. Vetëm gjatë gushtit, vendi importoi 668.5 milionë euro mallra, ndërsa eksportoi vetëm 100.5 milionë euro. Në mesin e furnizuesve kryesorë janë Maqedonia e Veriut, Serbia dhe Shqipëria, ndërsa jashtë rajonit dominuan Kina dhe Turqia.

Të dhënat e tregtisë së jashtme të mallrave për gushtin e vitit 2026 tregojnë një varësi të lartë të Kosovës nga importet, ndërsa eksportet vazhdojnë të mbulojnë vetëm një pjesë të vogël të mallrave që hyjnë në vend.

Sipas të dhënave, Kosova gjatë gushtit importoi mallra në vlerë prej 668.5 milionë eurosh, ndërsa eksportoi mallra në vlerë prej vetëm 100.5 milionë eurosh.

Si rezultat, deficiti tregtar arriti në 568 milionë euro, duke shënuar rritje prej 5.8 për qind krahasuar me gushtin e vitit 2025, kur deficiti ishte 536.8 milionë euro.

Në të njëjtën periudhë, eksportet u rritën me 31.9 për qind, ndërsa importet me 9 për qind. Megjithatë, pavarësisht rritjes së eksporteve, ato mbuluan vetëm 15 për qind të importeve.

Maqedonia e Veriut, Serbia e Shqipëria, furnizuesit kryesorë nga rajoni

Një pjesë e konsiderueshme e importeve të Kosovës vjen nga vendet e rajonit.

Nga vendet e CEFTA-s, Kosova gjatë gushtit importoi mallra në vlerë prej 76.2 milionë eurosh, që përbën 11.4 për qind të të gjitha importeve.

Në këtë grup, Maqedonia e Veriut ishte furnizuesi kryesor, me pjesëmarrje prej 4.7 për qind të importeve të përgjithshme. Në vlerë, kjo përkthehet në rreth 31.4 milionë euro mallra të importuara nga ky shtet.

Pas saj renditet Serbia, me 3 për qind të importeve, ose rreth 20.1 milionë euro.

Ndërsa nga Shqipëria, Kosova importoi mallra me pjesëmarrje prej 2.5 për qind, që korrespondon me rreth 16.7 milionë euro.

Kështu, vetëm në gusht, Kosova bleu më shumë mallra nga Serbia sesa nga Shqipëria, ndonëse të dyja vendet janë ndër partnerët kryesorë tregtarë të Kosovës në rajon.

Në anën tjetër, eksportet drejt vendeve të CEFTA-s arritën në 50.5 milionë euro, ose 50.2 për qind të eksporteve të përgjithshme.

Partneri kryesor i Kosovës për eksport brenda CEFTA-s ishte Shqipëria, me 24.8 për qind të eksporteve të përgjithshme, e ndjekur nga Maqedonia e Veriut me 13.2 për qind, Serbia me 5.4 për qind dhe Mali i Zi me 4.7 për qind.

Kjo tregon një tjetër dallim në raportet tregtare: Shqipëria është treg shumë më i rëndësishëm për mallrat që Kosova eksporton, ndërsa Serbia mbetet furnizues më i madh se Shqipëria për importet.

Kina dhe Turqia, burime të mëdha të importeve

Përtej rajonit, një pjesë edhe më e madhe e importeve vjen nga tregjet jashtë BE-së dhe CEFTA-s.

Importet nga vendet e tjera arritën në 313.3 milionë euro, ose 46.9 për qind të importeve të përgjithshme.

Në këtë grup, Kina ishte ndër burimet më të mëdha të mallrave për Kosovën, me 14 për qind të importeve të përgjithshme, që në vlerë është rreth 93.6 milionë euro.

Pas Kinës, një pjesë e konsiderueshme e importeve erdhi nga Turqia, me 11 për qind, ose rreth 73.5 milionë euro.

Vetëm nga Kina dhe Turqia, Kosova importoi kështu mallra në vlerë prej afërsisht 167 milionë eurosh gjatë një muaji.

Në anën tjetër, eksportet drejt këtyre tregjeve mbeten dukshëm më të ulëta. Eksportet drejt vendeve të tjera arritën në 19.7 milionë euro, ndërsa ndër partnerët kryesorë ishin Zvicra me 7.9 për qind dhe Turqia me 2.6 për qind.

Nga BE-ja importohen mbi 279 milionë euro

Edhe Bashkimi Evropian mbetet burimi kryesor i mallrave të importuara në Kosovë.

Në gusht, importet nga vendet e BE-së arritën në 279 milionë euro, ose 41.7 për qind të të gjitha importeve, me rritje prej 6.6 për qind.

Partnerët kryesorë ishin Gjermania, me 13.6 për qind të importeve të përgjithshme, Italia me 4.2 për qind dhe Polonia me 3.7 për qind.

Ndërkohë, eksportet e Kosovës drejt BE-së arritën në 30.3 milionë euro, ose rreth 30.2 për qind të eksporteve të përgjithshme.

Gjermania ishte tregu kryesor për eksportet e Kosovës në BE, me 10.2 për qind, e ndjekur nga Italia me 3 për qind dhe Holanda me 2.2 për qind.

Për nga struktura e mallrave, produktet minerale përbënin pjesën më të madhe të importeve, me 19.8 për qind.

Pas tyre vijnë ushqimet e përgatitura, pijet dhe duhani, me 13.1 për qind, mjetet e transportit me 11.7 për qind, makineritë, pajisjet mekanike dhe elektrike me 11.5 për qind, si dhe metalet bazë dhe artikujt prej tyre me 8 për qind.

Në eksportet e Kosovës, grupi më i madh ishte ai i metaleve bazë dhe artikujve prej tyre, me 21.8 për qind.

Pas tyre janë produktet minerale me 15.5 për qind, ushqimet e përgatitura, pijet dhe duhani me 13.3 për qind, plastika dhe goma me 8.8 për qind dhe artikujt e ndryshëm të prodhuar me 6.5 për qind.

Të dhënat e gushtit tregojnë kështu se, pavarësisht rritjes së eksporteve, përmasat e importeve vazhdojnë të jenë shumë më të mëdha se ato të eksporteve. Për çdo 100 euro mallra që Kosova eksportoi, në vend hynë rreth 665 euo mallra të importuara, duke e mbajtur deficitin tregtar në nivele të larta./Demokracia.com/

Të ngjashme

Të fundit