Kosova rikthehet te fitorja, e mposht Andorrën në “Fadil Vokrri”

- Advertisement -

Kombëtarja e Kosovës është rikthyer te fitorja, duke e mposhtur kombëtaren e Andorrës në ndeshje miqësore.

“Dardanët” triumfuan 3-0 në ndeshjen e luajtur në stadiumin “Fadil Vokrri”, në Prishtinë.

Pas dominimit në pjesën e parë, por me pak raste, Kosova më në fund e gjeti golin në minutën e 41-të.

Ishte atëherë, kur Fisnik Asllani shënoi nga goditja e dënimit, me një goditje raketë, e cila fillimisht u ndal nga shtylla, por përfundoi në gol pasi e goditi në shpinë portierin kundërshtar.

Kështu u mbyll pjesa e parë, teksa Kosova në të dytën i shënoi edhe dy gola.

Fillimisht, Albion Rrahmani shënoi për 2-0, në minutën e 52-të.

Rrahmani shënoi nga pika e bardhë e penalltisë.

Dyshja në fjalë, Asllani dhe Rrahmani ia dedikuan golat e tyre të ndjerit, Fatjon Bunjakut, i cili ndërroi jetë sot, pas një aksidenti trafiku.

Për 3-0 shënoi prurja e re e Kosovës, Valmir Matoshi.

Matoshi e gjeti golin e parë në fanellën e Kosovës, duke e gjetur rrjetin e golit në minutën e 77-të, pas një goditje me kokë.

Deri në fund më nuk pati gola, dhe kështu Kosova do të rikthehet në aksion në muajin shtator, me takimin ndaj Irlandës, në kuadër të Ligës së Kombeve.

Të ngjashme

Të fundit