Mijëra qytetarë u mblodhën në Sheshin e Luftëtarëve Serbë në qendër të qytetit.
Pavarësisht temperaturave të larta, disa protestues përshkuan në këmbë rreth 50 kilometra për të marrë pjesë në tubim.
Ai u zhvillua vetëm një ditë pas mitingut të organizuar nga Partia Pëparimtare Serbe në pushtet, në qendër të Beogradit.
Ai ishte njëri në vazhdën e disa protestave të organizuara nga lëvizja studentore qysh në nëntor të vitit 2024, kur nga shembja e një strehe në Stacionin Hekurudhor të Novi Sadit humbën jetën 16 persona.
Fillimisht, studentët kërkuan përgjegjësi penale dhe politike për tragjedinë, duke argumentuar se shembja ishte pasojë e korrupsionit në projektin e rindërtimit të stacionit.
Pas disa muajsh protesta, ata shtuan edhe kërkesën për mbajtjen e zgjedhjeve të parakohshme.
Megjithatë, në protestën e së dielës në Kralevë dominuan mesazhet për Kosovën, pavarësinë e së cilës Beogradi nuk e njeh.
Ajo u zhvillua në Ditën e Vidovdanit – festë fetare dhe shtetërore në Serbi – që përkujton Betejën e Kosovës të vitit 1389 kundër Perandorisë Osmane.
Çfarë u tha për tha për Kosovën?
Duke iu drejtuar protestuesve, Millena Petroviq, profesoreshë në Fakultetin e Shkencave të Natyrës dhe Matematikës të Universitetit të Prishtinës, që vepron brenda sistemit të Serbisë në Mitrovicën e Veriut, tha se qendrat e pushtetit në Beograd dhe në Prishtinë po veprojnë në mënyrë të koordinuar për të mbrojtur interesat e tyre, në dëm të qytetarëve të zakonshëm që jetojnë në Kosovë.
“Një qasje e tillë nuk kontribuon në respektin, mirëkuptimin dhe pranimin e ndërsjellë mes popullsisë serbe dhe shqiptare, që është parakusht për paqe të qëndrueshme në Kosovë”, tha Petroviq.
Në protestë foli edhe Vlladan Vesellinoviq, veteran i luftës nga Brigada e 63-të Parashutiste, i cili tha se “represioni i pushtetit” është shtrirë edhe ndaj veteranëve që kanë mbështetur protestat studentore.
“Na kanë arrestuar, kontrolluar, ndaluar për intervistim, na kanë linçuar në media, na kanë dërguar inspektorate dhe disa prej nesh, madje, kanë humbur vendet e punës”, tha ai.
Brigada e 63-të Parashutiste e Ushtrisë së Serbisë është shoqëruar me polemika për rolin e saj gjatë luftës në Kosovë.
Ato lidhen veçanërisht me praninë e saj në vendin ku është kryer një nga krimet më të mëdha të forcave serbe ndaj civilëve shqiptarë, në komunën e Gjakovës.
Para të pranishmëve foli edhe Llazar Stevanoviq, student i Fakultetit të Bujqësisë në Universitetin e Beogradit, i cili tha se studentët nuk janë armiq të shtetit.
“Në një vend ku korrupsioni dhe dhuna janë bërë pjesë e përditshmërisë, kërcënimi më i madh bëhen ata që kërkojnë përgjigje”, tha ai.
Në pritje të datës së zgjedhjeve
Ndërsa protestuesit antiqeveritarë vazhdojnë të kërkojnë mbajtjen e zgjedhjeve të parakohshme parlamentare, presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, deklaroi më 27 qershor, gjatë një tubimi të Partisë Pëparimtare Serbe, se brenda disa javësh do të japë dorëheqje.
Në përgjigje të kërkesave të studentëve, Vuçiq ka paralajmëruar disa herë deri më tani mbajtjen e zgjedhjeve parlamentare.
Sipas deklaratave të tij të fundit, ato pritet të mbahen në vjeshtën e këtij viti. /REL/






