Besa Ismaili
Sot, në Ditën Ndërkombëtare të Lirisë Fetare, riafirmojmë një parim themelor të Republikës sonë: dinjiteti, të drejtat dhe përkatësia qytetare janë të barabarta për të gjithë, pavarësisht besimit.
Për Kosovën, mbrojtja e lirisë fetare është detyrim kushtetues, përgjegjësi shtetërore dhe pjesë e besueshmërisë sonë ndërkombëtare. Karakteri laik i shtetit dhe respekti për komunitetet fetare ecin së bashku: institucionet duhet të garantojnë që secili të mund të besojë, të ndryshojë bindjen apo të mos besojë, pa frikë dhe pa diskriminim.
Raporti i Departamentit Amerikan të Shtetit për Lirinë Fetare Ndërkombëtare për vitin 2025 evidenton garancitë kushtetuese të Kosovës, por edhe sfida në zbatimin e tyre, përfshirë statusin juridik të bashkësive fetare dhe pengesat që prekin ushtrimin e barabartë të kësaj lirie. Këto gjetje duhet të na udhëheqin drejt veprimeve konkrete: institucione më të përgjegjshme, dialog të qëndrueshëm dhe mbrojtje efektive për çdo komunitet.
Pjekuria e një demokracie matet edhe me sigurinë dhe lirinë që ajo i garanton të gjithëve pa dallim.
Mbrojtja e objekteve të kultit, trashëgimisë fetare dhe të drejtave të çdo besimtari është përgjegjësi e Republikës dhe investim në paqen tonë të përbashkët.
Për mua, ky angazhim ka edhe një dimension të veçantë personal e akademik. Synimi im është të kontribuoj që përvoja e Kosovës të njihet ndërkombëtarisht dhe që diskutimi ynë publik të mbështetet më shumë në dije, hulumtim dhe dialog.
Kosova ka nevojë për më shumë studiuesë dhe ekspertë të kësaj fushe. Ka nevojë për politika që e kthejnë barazinë e garantuar në barazi të përjetuar çdo ditë.
Një Kosovë që mbron lirinë e ndërgjegjes së secilit është një Kosovë më demokratike, më e sigurt dhe më e respektuar në botë.
#Kosova #LiriaFetare #PluralizmiFetar #TëDrejtatENjeriut #ReligiousPluralism #FoRB






