Kombëtarja e Kosovës e ka zhvilluar stërvitjen e parë dhe të fundit para përballjes me Izraelin, në kuadër të grumbullimit të nëntorit, ku do t’i zhvillojë tri ndeshjet e fundit kualifikuese për Euro 2024.
Përballja me Izraelin ka qenë e planifikuar për muajin tetor, por ajo u shty për shkak të situatës së krijuar në Lindjen e Mesme.
Pavarësisht mungesave të rëndësishme për këtë ndeshje, Dardanët janë optimistë se para tifozëve të tyre do të jenë në gjendje të realizojnë fitoren e radhës në këtë cikël kualifikues.
Para stërvitjes në konferencë për media, përzgjedhësi Primozh Gliha dhe sulmuesi Vedat Muriqi janë shprehur optimistë për rezultat pozitiv.
Ndeshja Kosovë-Izrael zhvillohet të dielën në orën 20:45 në stadiumin “Fadil Vokrri”.
Ndeshja e parë e zhvilluar në Tel-Aviv ishte mbyllur baras 1:1.
Më pas Dardanët do të përballen me Zvicrën, më 18 nëntor në Bazel, si dhe në fund me Bjellorusinë, më 21 nëntor në Prishtinë