Kosova dukshëm mbi rajonin dhe BE-në në inflacion: çka tregojnë shifrat?

- Advertisement -

Raporti më i fundit i Agjencisë së Statistikave rikonfirmon se Kosova tashmë e ka kaluar pragun e inflacionit si fenomen statistikor, duke iu rikthyer krizë serioze të kostos së jetesës. Numrat e raportit të marsit tregojnë se vendi po rrëshqet drejt valës së dytë të shtrenjtimit masiv të çmimeve brenda vetëm tre vitesh.

Ajo që të dhënat e grumbulluara përgjatë 16 muajve na qartësojnë është se prirja negative nuk mbulohet pas retorikës së “presioneve globale”, argument që kryeministri në detyrë, Albin Kurti, e përdori sërish në mbledhjen e fundit të qeverisë, nga u njoftua edhe një pako e re mbështetëse financiare, në prag të zgjedhjeve të parakohshme parlamentare.

Kurti njoftoimbështetje prej 100 eurosh për pensionistët, fëmijët, punëtorët e sektorit privat dhe studentët, duke e cilësuar këtë si një masë urgjente për të zëvendësuar, sipas tij, dështimin e “Pakos për Përballje me Inflacionin”, me retorikën e zakonshme të shtetit kujdestar, “me qëllim të mbështetjes së familjeve për të përballuar më lehtë barrën e rënduar të çmimeve të larta, që vijnë si pasojë e krizave dhe tronditjeve globale.”

Megjithatë, alibia e “krizës globale” rrëzohet sapo Kosova krahasohet me vendet fqinje dhe me mesataren e Bashkimit Evropian. Të dhënat e katër muajve të parë të vitit 2026 tregojnë se inflacioni në Kosovë ishte vazhdimisht më i lartë se në Shqipëri, Mal të Zi, Maqedoninë e Veriut, Serbi dhe në BE, në disa raste madje deri në dyfish.

Vendi / Rajoni Jan 2026 Shk 2026 Mar 2026 Pri 2026
Shqipëria 2.3% 2.5% 2.6% 2.8%
Mali i Zi 2.9% 2.6% 3.1% 3.8%
Maqedonia e Veriut 3.2% 2.9% 4.9% 5.7%
Serbia 2.4% 2.5% 2.8% 3.3%
Kosova 5.8% 6.0% 6.7% 7.5%
Mesatarja e Bashkimit Evropian 2.0% 2.1% 2.8% 3.2%

Në janar, inflacioni vjetor në Kosovë ishte 5.8%, ndërsa inflacioni mujor 1.2%. Në shkurt, norma vjetore u rrit në 6.0%, me inflacion mujor 0.6%. Në mars, rritja u përshpejtua në 6.7% vjetore dhe 1.5% mujore. Në prill, inflacioni arriti në plot 7.5% vjetore dhe 1.1% mujore.

Brenda vetëm katër muajsh, inflacioni vjetor në Kosovë u rrit me 1.7 pikë përqindjeje, nga 5.8% në 7.5%. Nëse konsiderohen së bashku normat mujore të janarit, shkurtit, marsit dhe prillit, çmimet u rritën me rreth 4.5% vetëm nga dhjetori 2025 deri në prill 2026.

Në të njëjtën periudhë, inflacioni i vendeve të rajonit mbeti dukshëm më i ulët. Në janar 2026, Shqipëria regjistroi inflacion vjetor prej 2.3%, Mali i Zi 2.9%, Maqedonia e Veriut 3.2%, Serbia 2.4%, ndërsa mesatarja e Bashkimit Evropian ishte 2.0%.

Kosova, me 5.8%, ishte dukshëm më lart se vendet e tjera, mbi dyfishin e Shqipërisë, Serbisë dhe mesatares së BE-së. Krahasuar me mesataren rajonale prej rreth 2.7%, Kosova ishte plot 3.1 pikë përqindjeje më lart, ose rreth 2.15 herë më shtrenjtë në ritmin vjetor të rritjes së çmimeve.

Në prill, kontrasti me vendet e rajonit u bë serioz. Kosova shënoi inflacion vjetor prej 7.5%, ndërsa Shqipëria 2.8%, Mali i Zi 3.8%, Maqedonia e Veriut 5.7%, Serbia 3.3%, dhe BE-ja 3.2%.

Gjatë kësaj periudhe, inflacioni në Kosovë ishte 4.7 pikë përqindjeje më i lartë se në Shqipëri, 4.2 pikë më i lartë se në Serbi, 3.7 pikë më i lartë se në Mal të Zi, 1.8 pikë më i lartë se në Maqedoninë e Veriut dhe 4.3 pikë më i lartë se mesatarja e BE-së.

Të ngjashme

Të fundit