“Kjo është njëfarë gare në armatim që po zhvillohet në rajon, ku unë mendoj që është e pritshme që Kosova të reagojë në një garë të tillë, për shkak se siguria territoriale e saj është e cenuar në mënyrë të hapur nga një shtet fqinj”, tha Vrajolli, duke iu referuar pretendimeve të zyrtarëve kosovarë për shkelje me dronë nga Serbia.
Zyrtarë të Kosovës thanë në fund të shtatorit se hapësira ajrore e Kosovës ishte shkelur nga dronë të dyshuar serbë. Por, ata nuk kishin dhënë hollësi rreth këtyre pretendimeve, apo se kur saktësisht kishin ndodhur këto shkelje të dyshuara me dronë.
KFOR-i, në anën tjetër, i tha Radios Evropa e Lirë, më 26 shtator, se nuk kishte vërejtur ndonjë hyrje të dronëve nga jashtë në hapësirën ajrore të Kosovës që mund të ndikonte në sigurinë e gjithë vendit.
Vrajolli i tha REL-it se ky investim i Kosovës nuk është “jashtë kontekstit rajonal dhe global”, duke i parë edhe shkeljet e dyshuara me dronë rusë në Evropën Lindore javët e fundit.
“Këta janë dronë mbrojtës, pra nëse dikush vjen dhe e sulmon Kosovën, këta dronë përdoren për veprime të tilla, dhe nuk kanë synim për të hyrë në territorin e kujtdo për të kryer operacione të ndryshme”, shtoi ai.
Ai beson se qëllimi i Kosovës është mbrojtja dhe jo shënjestrimi i ndonjë vendi.
“KFOR-i është trup jo shumë i madh dhe ky mision jo medoemos e ka teknologjinë më të avancuar, për shkak se Kosova akoma nuk shihet nga NATO-ja si vend i rrezikut të drejtpërdrejtë… Prandaj institucionet e Kosovës duhet ta rrisin kapacitetin për t’i luftuar këta dronë”.
Ai shtoi: “Kosova ka shumë më shumë nevojë të zhvillojë teknologji që i verën dhe i deaktivizon këta dronë, sepse Kosova mund të përballet edhe me sulme terroriste me dronë, e realisht nuk e di sa kemi kapacitete që të ballafaqohemi me kërcënime të tilla”.
Serbia, e cila nuk e njeh pavarësinë e Kosovës, e akuzoi Turqinë – njërën prej anëtarëve më të fuqishme të NATO-s – se e “ëndërron ringjalljen e Perandorisë Osmane”.
Sa larg guxon të shkojë Serbia në Kosovë?
Presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq tha se është i tmerruar nga sjellja e Turqisë dhe pretendoi se ajo e ka shkelur Kartën e Kombeve të Bashkuara dhe Rezolutën 1244 të Këshillit të Sigurimit të OKB-së.
“Tani është plotësisht e qartë se Turqia nuk dëshiron stabilitet në Ballkanin Perëndimor dhe është duke ëndërruar sërish për ringjallje të Perandorisë Osmane. Serbia është shtet i vogël, por ne i kuptojmë synimet e tyre reale”, tha presidenti serb përmes një postimi në X.
Më vonë, Ministria e Mbrojtjes e Serbisë tha se, pas dërgimit të dronëve turq në Kosovë, shefi i Shtabit të Përgjithshëm të ushtrisë së Serbisë, gjenerali Millan Mojsilloviq e ka zhvilluar një bisedë telefonike urgjente me komandantin e KFOR-it, gjeneralmajor Ozkan Ulutash.
Në komunikatën për media u se gjatë bisedës me komandantin e KFOR-it, Mojsilloviq ka shprehur protestë të ashpër kundër “vazhdimit të armatosjes së Kosovës”.