Ministri për Punë, Familje dhe Vlerat e Luftës Çlirimtare, Andin Hoti, dhe ministrja e Ekonomisë, Kulturës dhe Inovacionit e Shqipërisë, Delina Ibrahimaj, kanë nënshkruar Marrëveshjen e Bashkëpunimit për Mobilitetin në Punë, me synim forcimin e bashkëpunimit ndërmjet dy vendeve në fushën e punësimit dhe aftësimit profesional.
Marrëveshja synon avancimin e politikave të punësimit, zhvillimin e aftësive profesionale dhe lehtësimin e lëvizjes së punëtorëve ndërmjet Kosovës dhe Shqipërisë.
Sipas njoftimit, marrëveshja parashikon heqjen e barrierave administrative për të lehtësuar qasjen e punëkërkuesve në tregun e punës në të dy vendet, rritjen e bashkëpunimit ndërmjet institucioneve përgjegjëse, si dhe shkëmbimin e praktikave më të mira në fushën e punësimit dhe formimit profesional.
Zbatimi i marrëveshjes do të bëhet nga Agjencia e Punësimit e Republikës së Kosovës dhe Agjencia Kombëtare e Punësimit dhe Aftësive e Republikës së Shqipërisë.






