Koreja e Veriut synon të ketë forcën strategjike më të fuqishme bërthamore në botë. Kështu ka deklaruar udhëheqësi i saj Kim Jong-un në një ceremoni që festonte nisjen e një rakete të re ndërkontinetale, gjatë së cilës vajza e tij u shfaq për herë të dytë në publik.
Kim ka dhënë një seri masive promovimesh për ushtrinë dhe shkencëtarët e përfshirë në zhvillimin e Hwasong-17 të ri, e quajtur nga analistët ushtarakë ‘raketa monstruoze’, e aftë për të arritur në Shtetet e Bashkuara.
Kjo raketë balistike ndërkontinentale (ICBM) u testua më 18 nëntor, duke rënë në ujërat jashtë Japonisë.
“Hwasong-17 është arma strategjike më e fortë në botë dhe përbën një hap të mrekullueshëm përpara në zhvillimin e teknologjisë për montimin e kokave bërthamore në raketa balistike”, tha lideri me entuziazëm, cituar nga agjencia e lajmeve zyrtari koreano-verior KCNA.
Shkencëtarët, ushtarët dhe drejtuesit e këtij programi kanë kontribuar në “qëllimin e ndërtimit të armës më të fortë në botë”.
Lideri korean theksoi se qëllimi i zhvillimit të një force bërthamore është “të mbrohet me besueshmëri dinjiteti dhe sovraniteti i shtetit dhe popullit”.
Është “kauza revolucionare më e madhe dhe më e rëndësishme dhe qëllimi i saj përfundimtar është të zotërojë forcën strategjike më të fortë në botë, forcën e pashoqe që nuk ka të krahasuar në shekull”, deklaroi Kim.
Gazeta zyrtare Rodong Simun publikoi sot disa foto ku shihet lideri i Koresë së Veriut duke pozuar në shoqërinë e qindra civilëve dhe ushtarëve gjatë ceremonisë, i shoqëruar nga vajza e tij. Ekzistenca e kësaj të fundit u zbulua për herë të parë javën e kaluar, kur mediat vendase publikuan fotot e saj bashkë me të atin, dtë kapur dorë për dore në lëshimin e Hwasong-17./A2/