Hetuesit policorë nga Drejtoria për Hetimin e Krimeve Ekonomike dhe Korrupsionit (DHKEK), gjegjësisht hetuesit nga Sektori për Hetime Financiare, sot më 11.11.2023, kanë zbatuar urdhëresën e Gjykatës Themelore në Prishtinë –Departamenti Special, ku janë kontrolluar tri lokacione në Gjakovë.
Ky operacion policor është zhvilluar pasi autoritetet e Belgjikës kanë dërguar kërkesë pranë autoriteteve shtetërore të Republikës se Kosovës për Ndihmë Juridike Ndërkombëtare, e cila kërkesë është përcjellë në DHKEK nga Prokuroria Speciale e Republikës se Kosovës për zbatim.
Dyshohet se shtetas të Republikës se Kosovës në bashkëveprim me disa shtetas të Belgjikës gjatë periudhës kohore 2020 -2022 janë marrë me veprimtari penale dhe dyshohet të kenë krijuar të ardhura të mëdha të cilat përmes rrugëve të ndryshme i kanë transferuar në Kosovë duke investuar në paluajtshmëri.
Gjatë kontrollit është arritur të sigurohen fatura të shpenzimeve, të cilat të dyshuarit i kanë investuar në Kosovë, e që dyshohet të jenë produkt i veprave penale të kryera nga ana e tyre.
Gjatë kontrollit kanë marrë pjesë edhe një ekip nga Belgjika (një gjyqtar hetues dhe tre hetues policorë), bazuar në lejen e autoriteteve shtetërore të Republikës së Kosovës.
Rasti vazhdon të hetohet në bashkëveprim me autoritetet e Belgjikës.