6.2 C
New York
Wednesday, November 27, 2024

Buy now

Konsumimi i ujit me limon në mëngjes, i shëndetshëm

- Advertisement -

Thuhet se me konsumimin e ujit me limon marrim gjithashtu vitaminën C, që është antioksidant i fuqishëm dhe ndihmon në mbrojtjen e qelizave nga radikalet e lira, dhe si pasojë ndihmon në parandalimin e sëmundjeve kardiovaskulare, kancerit dhe një sëmundjeje të indit lidhor, e cila duke u dobësuar shfaqet ndër të tjera edhe me shenja sikurse janë gjakderdhja nga mishrat e dhëmbëve dhe me ulcera që mezi shërohen.

Zgjimi në mëngjes jo gjithmonë është motivues, arsyet janë të shumta, shumë herë shkak janë problemet me ushqimin, si fryrja apo ngarkesa. Mirëpo çelësi i zgjidhjes së problemit mund të jetë edhe uji me limon, i cili nëse konsumohet në mëngjes i bën shumë mirë shëndetit tonë, duke na furnizuar me vitaminë C, forcon imunitetin dhe ndihmon në përshpejtimin e metabolizmit. Për këtë arsye sot në suplementin e shëndetit në gazetën MAPO do të listojmë 12 arsye përse na bën mirë konsumimi i një gote ujë me limon, menjëherë sa zgjoheni në mëngjes.

Së pari, sepse mund të na ndihmojë të humbasim peshë. Polifenolet e pranishme në limon ndihmojnë në uljen e oreksit. Madje kur pihet një gotë ujë, mbi të gjitha para një vakti, ndikon në mbushjen e stomakut, duke kompensuar sasinë e ushqimit të domosdoshëm për t’u ndjerë të ngopur. Mjafton vetëm një limon i shtrydhur në një gotë me ujë, ndoshta me pak lëkurë limoni, do të ishte ideale për të nxitur metabolizmin të punojë më mirë.

Së dyti, sepse ndihmon tretjen. Flavonoidet e pranishme në limon ndihmojnë në asimilimin e ushqimit duke përmirësuar tretjen në tërësi. Madje nëse konsumohet limoni i shtrydhur me ujë të ngrohtë ofron më shumë përfitime shëndetësore. Kjo është e rëndësishme pasi me avancimin e moshës, sasia e acidit të pranishëm në stomak ka tendencë për t’u ulur: një studim i kohëve të fundit ka treguar se mbi 30% e popullsisë mbi moshën 60 vjeç vuan ose ka vuajtur nga gastriti atrofik, një sëmundje e karakterizuar nga një mjedis me pak aciditet në stomak.

Së treti, sepse përmban shumë vitaminë C. Të gjitha agrumet janë burim i mirë i vitaminës C. Sipas një studimi të bërë nga Departamenti i Bujqësisë së Shteteve të Bashkuara, një e katërta e një gote me ujë e limon mund të përmbajë deri në 23.6 mg të vitaminës C, rreth një e treta e sasisë së rekomanduar ditore për gratë dhe një e katërta për burrat. Vitamina C është një antioksidant i fuqishëm që ndihmon në mbrojtjen e qelizave nga radikalet e lira, dhe si pasojë ndihmon në parandalimin e sëmundjeve kardiovaskulare, kancerit dhe një sëmundjeje të indit lidhor, e cila duke u dobësuar shfaqet ndër të tjera edhe me shenja, sikurse janë gjakderdhja nga mishrat e dhëmbëve dhe me ulcera që mezi shërohen.

Së katërti, sepse na mban gjithmonë të hidratuar. Në fakt hidratimi vjen falë shijes së tij të mirë, pasi konsumimi i ujit me limon shton dëshirën për të konsumuar akoma më shumë. Shumëkush nuk ka qejf të konsumojë as ujin fare, madje nuk ndjen të domosdoshme një gjë të tillë. Mirëpo nëse konsumohet ujë me limon mund të jetë një “hile” e mirë për t’i shtuar shije ujit dhe kështu për të përfituar nga vetitë hidratuese të tij. Së fundmi, edhe vetë dietologët kanë ndryshuar sasinë e rekomanduar ditore të ujit, nga tetë gota që thuhej se duhen konsumuar në ditë, tani rekomandohet të konsumohet në bazë të peshës trupore, aktivitetit dhe stilit të jetës që bën. Nëse doni të kuptoni se po pini mjaftueshëm ujë mjafton një test i shkurtër. Shikoni urinën tuaj dhe nëse ajo është në ngjyrë të verdhe është e qartë se po pini ujë mjaftueshëm, por nëse urina tuaj ka ngjyrë të verdhë të errët, atëherë duhet të pini akoma më shumë.

Së pesti, sepse mban lëkurën më të re. Vitamina C e pranishme në limon mban lëkurën më të pastër. Një studim i kryer në Britaninë e Madhe ka treguar se sa më i lartë niveli i vitaminës C që është supozuar, më pak rrudhat shfaqen në fytyrë, pasi kjo lëndë ushqyese ndihmon për të luftuar dëme të shkaktuara nga radikalet e lira në mbrojtjen e lëkurës. Jo vetëm kaq, vitamina C ka efekte të dobishme në prodhimin e kolagjenit, i cili ndihmon për të mbajtur elastike indet lidhëse të dermës, shtresa më e thellë e lëkurës. Së fundi, hidratimi i vazhdueshëm ndihmon lëkurën të pastrohet dhe për të kryer më mirë funksionet e saj natyrore, duke i dhënë një pamje më rinore dhe të qetë.

Së gjashti, sepse vepron kundër dhjamosjes së mëlçisë. Uji me limon ndihmon mëlçinë të funksionojë më mirë. Një studim i fundit në fakt ka treguar se flavonoidet e pranishme në agrume mbrojnë mëlçinë nga toksinat, të cilat janë deponuar në baza ditore nga ana e organit, dhe për të zvogëluar nivelin e akumulimit të yndyrës në qelizat të cilat mund të shkaktojnë dhjamosjen e mëlçisë.

Së shtati, sepse rrit nivelin e kaliumit. Kur përmendim këtë mineral mendja na shkon menjëherë te bananet, mirëpo kaliumi gjendet edhe te limoni, një lëndë ushqyese thelbësore për funksionimin e duhur të qelizave të sistemit nervor dhe metabolizmin. Sipas një studimi të kryer nga Universiteti i Maryland Medical Center, në fakt, kaliumi është një elektrolit natyral që ndihmon në sjellje të energjisë në të gjithë trupin. Për këtë arsye është kaq e rëndësishme marrja e këtij elementi përmes ushqimit.

Së teti, sepse ndihmon mirëfunksionimin e aparatit tretës. Përveçse përmirëson funksionimin e mëlçisë, lehtëson kalimin tranzit të ushqimit përmes zorrëve, duke përmirësuar gjithë sistemin tretës. Kjo është edhe një ndër arsyet se përse këshillohet të konsumohet një gotë ujë me limon që në mëngjes herët, duke ndihmuar në këtë mënyrë funksionimin sa më të mirë të sistemit tretës.

Së nënti, sepse ndihmon në parandalimin e formimit të gurëve në veshka. Gurët në veshka shpesh janë formuar për shkak të dehidratimit, kështu që uji me limon mund të bëhet një zakon i shëndetshëm për të pastruar veshkat dhe për të shmangur këto grumbullime të bezdisshme.

Së dhjeti, sepse freskon dhe mban pastër gojën. Uji me limon dezinfekton mukozën e gojës dhe ajo mund të ndihmojë në uljen e përhapjes së baktereve në gojë, dhe kjo rezulton në ajër më të freskët në gojë. Nga ana tjetër, duhet thënë se kundërindikohet pasi aciditeti i lëngut të limonit me kalimin e kohës dëmton smaltin e dhëmbëve, ndaj dhe për të ulur sa më shumë këto dëme do të ishte mirë ta pimë ujin me limon përmes një pipe.

Së njëmbëdhjeti, përshpejton metabolizmin. Pirja e ujit me limon që në mëngjes herët ndihmon në përshpejtimin e metabolizmit, veçanërisht nëse e konsumoni me ujë të ftohtë. Qëllimi është që të pini të paktën tri gota në ditë, para ushqimit, për t’i dhënë një shtysë metabolizmit dhe për të arritur përpara ndjenjën e ngopjes.

Së dymbëdhjeti, forcon sistemin imunitar. Ne të gjithë e dimë se vitamina C, të cilën e përmbajnë të gjitha agrumet, përfshi limonin, jep mbrojtje për sistemin imunitar. Por lëngu i limonit ndihmon gjithashtu për të rritur nivelet e acidit në stomak, një pengesë natyrale kundër patogjeneve, e cila në këtë mënyrë nuk do të gjeni një ambient për të “zënë rrënjë”. Përveç kësaj, konsumimi i ujit me limon ndihmon në mbrojtjen e trupit nga sëmundja, pasi limoni gjithashtu ka veti antioksiduese.

Të ngjashme

111,400FansaPëlqeje
12,000NdjekësitNdjek

Të fundit