Konjufca: Takimet e fundit të Kurtit me Abdixhikun patën natyrë tjetër, optimistë për një zgjidhje

- Advertisement -

Ministri në detyrë i Punëve të Jashtme dhe Diasporës, Glauk Konjufca, ka deklaruar se pas letrës që kryeministri Albin Kurti ua dërgoi partive që deri dje ishin në opozitë, është vërejtur një qasje tjetër nga ajo e muajve të kaluar.

Konjufca tha se Kurti menjëherë iu drejtua me letër PDK-së, LDK-së dhe AAK-së, ndërsa përgjigjet e tyre erdhën më shpejt se në rastet e kaluara.

Image

“Kryeministri Kurti menjëherë iu drejtua me një letër të gjitha partive që ishin deri dje në opozitë, edhe PDK-së, edhe LDK-së, edhe AAK-së. Edhe ata u përgjigjën më shpejt se herëve të tjera. U pa se këtë herë kishte një interesim të një natyre tjetër nga ai që pamë në muajt e kaluar dhe prej zgjedhjeve të dhjetorit. Duket se vullneti i partive, kësaj radhe, për të mos shkuar në zgjedhje është më i sinqertë”, tha Konjufca.

Image

Ai shtoi se për këtë arsye u zhvilluan edhe takimet me PDK-në dhe LDK-në, ndërsa AAK-ja nuk e pranoi ftesën për takim.

“Dhe pikërisht për këtë arsye ndodhi edhe takimi me dy partitë, me PDK-në dhe LDK-në. Për disa arsye që i shpjegoi AAK-ja, ajo nuk e pranoi takimin, por i dha arsyet e veta dhe tregoi në çfarë kushtesh do të bashkëpunonte”, u shpreh ai.

Image

Duke folur për përmbajtjen e takimeve, Konjufca tha se PDK-ja ka mbetur në qëndrimet e saj të mëhershme, ndërsa te LDK-ja është vërejtur një gatishmëri më e madhe për bashkëpunim.

“Sa i përket takimeve që u zhvilluan me PDK-në dhe LDK-në, u pa qartë se PDK-ja vazhdon të qëndrojë në pozicionet që i kemi parë edhe më herët. Ato qëndrime u shprehën edhe në takimin me kryeministrin Kurti. Kurse, sa i përket Lidhjes Demokratike të Kosovës, përshtypja jonë është se aty, përkundër herëve të kaluara, kësaj radhe ka vullnet më të madh për ta tejkaluar këtë moment në të cilin ndodhet Kosova. Ka një gatishmëri më të lartë për bashkëpunim nga Lidhja Demokratike e Kosovës dhe unë mendoj se opsionet që dalin në tavolinë për arritjen e një marrëveshjeje janë në përpjesëtim me vullnetin. Sa më i madh të jetë vullneti politik, sa më shumë gatishmëri për të bashkëpunuar të ketë, aq më shumë rritet numri i opsioneve për të gjetur zgjidhje, për pozicionet e ndryshme dhe për përgjegjësitë e ndryshme se si do të ndahen ato”, deklaroi ai.

Konjufca tha se pas zgjedhjeve të dhjetorit kishte pasur një bllokadë të plotë dhe, sipas tij, qëllimi kishte qenë që vendi të shkonte sërish në zgjedhje.

“Kurse atë që e kemi parë, sidomos prej zgjedhjeve të dhjetorit, ka qenë një bllokadë totale. Unë e kam thënë edhe atëherë se qëllimi pas dhjetorit ka qenë që gjithsesi të shkohej në zgjedhje. Edhe partitë opozitare nuk shikonin gjë tjetër. Mendonin se përmes metodave artificiale mund të prodhonin një rezultat tjetër për Vetëvendosjen. Por ai ndryshim doli shumë i vogël”, tha ai.

Image

Konjufca shtoi se tani mbetet të shihet zhvillimi i situatës brenda LDK-së, duke theksuar se kjo parti ka autonominë e plotë për vendimet e saj.

“Prandaj, tash çka mbetet të shihet janë zhvillimet e brendshme në Lidhjen Demokratike të Kosovës. Natyrisht, Lidhja Demokratike e Kosovës e ka autonominë dhe pavarësinë e plotë për të vendosur për çështjet e saj të brendshme. Ne nuk jemi këtu as për t’i komentuar ato, as për të këshilluar gjë, sepse Lidhja Demokratike është një parti që ekziston më së gjati në Kosovë dhe besoj se ata dinë t’i rregullojnë punët e veta”, deklaroi Konjufca.

Ai u shpreh optimist se pas takimit mes kryeministrit Albin Kurti dhe kryetarit të LDK-së, Lumir Abdixhiku, është krijuar një klimë tjetër diskutimi, e cila, sipas tij, mund të çojë drejt një zgjidhjeje.

Image

“Por, sa i përket bashkëpunimit me ne, më është dukur se pas takimit të kryeministrit Kurti në rezidencën Osmani me zotin Abdixhiku, kryetarin e LDK-së, kësaj radhe ka pasur një natyrë tjetër diskutimi, ndryshe nga herët e kaluara. Kjo na ka bërë më optimistë se një zgjidhje mund të gjendet së shpejti”, përfundoi Konjufca. /EO

Të ngjashme

Të fundit