Ministri në detyrë Glauk Konjufca, ka shprehur ngushëllime për ndarjen nga jeta të Komandant Sahit Jasharit, duke e cilësuar atë si një nga luftëtarët e orëve të para të Ushtria Çlirimtare e Kosovës.
Përmes një reagimi publik, Konjufca u shprehu ngushëllime familjes Jashari, bashkëluftëtarëve dhe gjithë qytetarëve të Kosovës, duke vlerësuar lart kontributin e Sahit Jasharit në luftën për liri.
“Sahit Jashari i përket brezit të atyre që lirinë nuk e panë si ëndërr të largët, por si thirrje të kohës. Qysh në fillimet e organizimit të UÇK-së, pranë Adem Jashari dhe luftëtarëve të parë, ai dha kontributin e tij në forcën që e ktheu përpjekjen shekullore të shqiptarëve për liri në një qëllim të arritur me Kosovën shtet të pavarur”, ka thënë Konjufca.
Ai shtoi se në jetën dhe veprën e Sahit Jasharit bashkohen rezistenca për liri dhe periudha e shtetndërtimit të Kosovës.
“Lavdi jetës dhe veprës së Komandant Sahit Jasharit!”, ka përfunduar Konjufca.
Postimi i plotë:
Ngushëllime të sinqerta familjes Jashari, bashkëluftëtarëve dhe gjithë qytetarëve të Kosovës për ndarjen nga jeta të luftëtarit të orëve të para të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, Komandant Sahit Jashari.
Sahit Jashari i përket brezit të atyre që lirinë nuk e panë si ëndërr të largët, por si thirrje të kohës. Qysh në fillimet e organizimit të UÇK-së, pranë Adem Jasharit dhe luftëtarëve të parë, ai dha kontributin e tij në forcën që e ktheu përpjekjen shekullore të shqiptarëve për liri nga një aspiratë e trashëguar në një qëllim të arritur me Kosovën shtet të pavarur. Prandaj, në jetën dhe veprën e tij bashkohen dy kohë të historisë sonë: ajo e rezistencës që e mbajti gjallë idealin e lirisë dhe ajo e Kosovës së lirë që e vazhdon atë ideal përmes shtetndërtimit.
Lavdi jetës dhe veprës së Komandant Sahit Jasharit!






