Kryetari i Kuvendit të Kosovës, Glauk Konjufca, ka përkujtuar Arben Xheladinin dhe Mon Balajt, të cilët janë vrarë më 10 shkurt të vitit 2007.
Në 16-vjetorin e kësaj proteste, ai ka thënë se ish-aktivistët ranë dëshmor në mbrojtje të lirisë dhe barazisë.
Edhe në këtë përvjetor, ai ka kërkuar drejtësi për vrasjen e ish-aktivistëve.
“Sot është 16-vjetori i vrasjes së aktivistëve të Lëvizjes VETËVENDOSJE!, Arben Xheladini dhe Mon Balaj, nga policia rumune e UNMIK-ut. Arbeni e Moni ranë dëshmorë në mbrojtje të vlerave të lirisë, barazisë, demokracisë dhe për vetëvendosjen e Republikës. Vitet nuk e zbusin dhimbjen për këta pishtarë të guximit, idealizmit të virtytshëm dhe aktivizmit qytetar të pathyeshëm. As zemërimin e pafund për drejtësinë e munguar ndaj atyre që kryen aktin mizor dhe u arratisën nga vendi i krimit”, ka shkruar ai në profilin e tij në Facebook.
Ai ka bërë me dije se nuk do të ndalen deri në vendosen e drejtësisë.
“Vendosja e drejtësisë dhe dënimi i autorëve të krimit të 10 shkurtit 2007 mbetet kërkesë e jona parësore. Sepse, siç thuhet, kur padrejtësia qesh në tryezë, drejtësia qan pas porte. Po. Ne po ecnim drejt atë ditë, ne do ecim drejt gjithmonë. Lavdi jetës dhe veprës së dëshmorëve të demokracisë Arben Xheladini e Mon Balaj!”, ka shkruar Konjufca.