Festivali “Sunny Hill” tashmë është marrë vendim të mbahet në Tiranë dhe jo në Prishtinë siç ishte paralajmëruar.
Organizatori i këtij festivali, Dukagjin Lipa, ka deklaruar se kjo ka ndodhur për shkak të zvarritjes së procedurave për dhënien në shfrytëzim të pronës komunale, shkruan lajmi.net.
Zhvendosja e lokacionit të festivalit i cili nuk ka dështuar që ta bëj Kosovën lajm nëpër mediat botërore sa herë që është mbajtur në Prishtinë, ka nxitur reagime të shumta në opinion.
Kryetari i Prishtinës, Përparim Rama, ka thënë se zvarritja e procedurave ka ndodhur nga Ministria e Administrimit të Pushtetit Lokal. Kjo e fundit fajin ja ka hedhur Komunës së Prishtinës, duke thënë se i kanë vonuar propozimet e gjithashtu kanë pasur mungesë të dokumenteve elementare.
Liderët e partive opozitare i kanë hedhur fajin Qeverisë, duke kritikuar këtu edhe kryeministrin Albin Kurti dhe ministrat e tij për qasjen ndaj eventeve me rëndësi të madhe.
Në anën tjetër, vetë kryeministri Kurti vitin e kaluar e kishte vlerësuar shumë Dua Lipën, vajzën e organizatorit të festivalit “Sunny Hill”, e cila jo vetëm se ka sjell artistë me famë botërore në Kosovë, por edhe ka lobuar për Kosovën sa herë që ka pasur mundësinë.
Në vitin 2021, Dua Lipa ishte nderuar me çmimin “Artistja e shquar e vitit 2021” në Distinguished Leadership Awards. Me të pranuar çmimin, Dua kishte mbajtur një fjalim të jashtëzakonshëm para publikut, duke treguar me detaje për sfidat me të cilat ballafaqohet vendi i saj.
Ajo i kishte drejtuar një thirrje edhe Bashkimit Evropian, duke i kërkuar liberalizimin e vizave, duke u shprehur se Kosova e meriton një gjë të tillë.
E për këtë paraqitje, Dua mori lëvdata të shumta edhe nga kryeministri Kurti, i cili e kishte cilësuar si “diplomaten më të mirë që Kosova mund ta kishte kërkuar”.
“Dua Lipa nuk është vetëm këngëtarja më e famshme në botë, ajo është një aktiviste që frymëzon lëvizjet për ndryshim dhe është diplomatja më e mirë që Kosova mund të kishte kërkuar dhe shpresuar ndonjëherë. Urime për çmimin tuaj në Këshillin Atlantik. Ju jeni një frymëzim dhe vendi juaj është krenar për ju”, kishte shkruar Kurti në Instagram.
Kurti e kishte uruar Dua Lipën edhe kur ajo kishte marrë çmimin “Grammy” për albumin më të mirë vokal të zhanrit pop.
“E përgëzoj Dua Lipën për fitimin e Grammy për BestPopVocalAlbum. Me punën e saj, talentin e saj dhe shpirtin e saj ajo ka mahnitur botën dhe është levituar kombi i saj. Ajo është një frymëzim për të rinjtë tanë dhe një ambasadore për vendin tonë”, kishte shkruar Kurti në Twitter.
E tash që Dua Lipës po i pamundësohet mbajtja e festivalit në Kosovë, zyrtarët shtetërorë nuk kanë reaguar, por ka reaguar Ministria e Administrimit të Pushtetit Lokal e cila e ka fajësuar Komunën e Prishtinës për zvarritjen e procedurave dhe vendimit për dhënien në shfrytëzim të pronës komunale.
Përmes një komunikate, MAPL-ja ka deklaruar se ka kërkuar dokumente shtesë nga komuna për ndarjen e tokës për këtë festival, por që sipas kësaj ministrie, komuna nuk i ka ofruar ato.