Gazeta SCANNER të enjten ka mbajtur sesionin e tretë të trajnimeve në kuadër të projektit “Fuqizimi i bashkëpunimit komunitar në Kosovë: Promovimi dhe mbrojtja e të drejtave dhe interesave të komuniteteve”, i cili mbështetet nga Zyra për Çështjen e Komuniteteve në Qeverinë e Republikës së Kosovës.
Sesioni i tretë i trajnimit me titull: “Mbrojtja kundër diskriminimit të komuniteteve: Korniza ligjore dhe sfidat” është mbajtur në lagjen Kodra e Trimave në Prishtinë, konkretisht në lokalin “Infinit” në afërsi të shkollës “Asim Vokshi”. Ky trajnim është mbajtur trajneri Dardan Berisha.
Berisha ka ligjëruar në vija të përgjithshme lidhur me kornizën ligjore dhe mbrojtjen e minoriteteve kundër diskriminimit.
Në këtë drejtim, ai ka folur për të drejtat e komuniteteve të cilat janë të sanksionuar me Kushtetutë dhe ligjet e Kosovës.
Më tutje, ai ka ligjëruar për mjetet juridike të cilat mund t’i shfrytëzojnë komunitetet në rast se ndihen të diskriminuar gjatë realizimit të të drejtave të tyre.
Ndërsa disa nga pjesëmarrësit në këtë trajnim kanë ndarë përvojat e tyre në jetën e përditshme dhe vështirësitë që hasin në realizimin e të drejtave të tyre.
Në këtë kontekst, disa nga ta kanë deklaruar se ka pasur raste kur janë diskriminuar në punësim dhe shëndetësi.
Sikurse edhe në sesionet e kaluara edhe kësaj radhe, pjesëmarrësit kanë thënë se kanë nevojë për organizimin e trajnimeve profesionale. Në këtë kontekst, ata kanë kërkuar përkrahjen e institucioneve. /Scanner/