Komuna e Vushtrrisë: Tentativa për vendosjen e gurthemelit të kishës në Zagorë u bë pa leje

- Advertisement -

Komuna e Vushtrrisë ka njoftuar se tentativa e një grupi qytetarësh të besimit katolik për vendosjen e gurthemelit të një kishe në fshatin Zagorë është ndërmarrë pa leje dhe jashtë procedurave ligjore.

Sipas njoftimit, në Komunë nuk është paraqitur asnjë kërkesë për këtë aktivitet dhe nuk është lëshuar leje për vendosjen e gurthemelit, fillimin e punimeve apo zhvillimin e aktiviteteve ndërtimore në atë lokacion.

Komuna ka bërë të ditur se rasti i është raportuar edhe Policisë së Kosovës, në mënyrë që institucionet kompetente të ndërmarrin veprimet e nevojshme në përputhje me përgjegjësitë e tyre ligjore.

Në reagim theksohet se Komuna respekton dhe garanton lirinë e besimit dhe të drejtat e të gjitha komuniteteve pa dallim, por çdo ndërhyrje apo ndërtim në territorin e saj duhet të zhvillohet duke respektuar legjislacionin dhe procedurat në fuqi.

Komuna e Vushtrrisë ka kërkuar që personat fizikë dhe juridikë, përpara zhvillimit të aktiviteteve të kësaj natyre, t’i ndjekin procedurat ligjore dhe të pajisen me lejet përkatëse nga institucionet kompetente.

Të ngjashme

Të fundit