Komuna e Gjakovës ka kërkuar kompensimin e dëmit material prej mbi 14 milionë euro nga Qeveria e Kosovës, përkatësisht Ministria e Arsimit, Shkencës, Teknologjisë dhe Inovacionit (MASHTI), për dëmet financiare që, sipas saj, kanë rrjedhur nga kontratat kolektive të arsimit të viteve 2017 dhe 2021.
Në Gjykatën Komerciale është mbajtur seanca e parë përgatitore lidhur me këtë çështje, ku përfaqësuesja ligjore e komunës ka kritikuar institucionet qendrore për mosmbulimin e shpenzimeve që kanë rrjedhur nga kontratat kolektive.
Përfaqësuesja ligjore e Komunës së Gjakovës, Vjollca Shyti, ka thënë se vlera e dëmit është rritur me kalimin e viteve, pasi komuna vazhdon të përballet me detyrime financiare që lidhen me këto kontrata. Ajo ka sqaruar se në momentin e paraqitjes së padisë, kërkesa ishte mbi 2.5 milionë euro, ndërsa tash, duke përfshirë edhe vitin 2026, dëmi i pretenduar ka kaluar 14 milionë euro, raporton Ekonomia Online.
“Konsideroj që këto kontrata i kanë shkaktuar dëm të pariparueshëm Komunës së Gjakovës mbi 14 milionë euro. Për këto arsye jemi detyruar që t’i drejtohemi gjykatës me padi që t’i shqyrtojë provat dhe gjendjen faktike për dëmin e shkaktuar”, tha Shyti.
Shyti ka thënë se Komuna e Gjakovës konsideron se këto kontrata janë nënshkruar pa pjesëmarrjen e komunave dhe se niveli qendror nuk ka siguruar mbështetjen e nevojshme financiare për zbatimin e tyre.
“Tregohet jo serioziteti i palës së paditur karshi komunave të Kosovës, respektivisht në rastin konkret të Komunës së Gjakovës si palë paditëse. Përgjigjja në padi dhe parashtresat janë të shabllonizuara, nga të cilat kuptohet që pala e paditur nuk ka gatishmëri të bashkëpunojë me Komunën e Gjakovës, sikurse që nuk ka pasur gatishmëri edhe t’i përmbushë kontratat kolektive, të cilat janë pjesë përbërëse të padisë burimore, kontrata e vitit 2017 dhe e vitit 2021. Konsiderojmë që edhe në këto parashtresa të palës së paditur vërtetohet se nuk kanë qenë të gatshëm që t’i përmbushin kushtet e parapara me këto kontrata kolektive”, tha ajo.
Sipas Shytit, mungesa e financimit nga niveli qendror ka bërë që komunat të përballen me pasoja buxhetore, ndërsa punëtorët e arsimit u janë drejtuar gjykatave dhe procedurave përmbarimore për realizimin e të drejtave të tyre.
“Në asnjë moment nga lidhja e këtyre kontratave e deri te përfundimi i këtyre kontratave nuk e kanë mbështetur asnjë komunë, siç e kishin obligim me kontratën e nënshkruar pa prezencën e komunave. Konsideroj që këto kontrata i kanë shkaktuar dëm të pariparueshëm Komunës së Gjakovës mbi 14 milionë euro. Për këto arsye jemi detyruar që t’i drejtohemi gjykatës me padi që t’i shqyrtojë provat dhe gjendjen faktike për dëmin e shkaktuar”, tha Shyti.
Në kërkesëpadinë fillestare, Komuna e Gjakovës e kishte përcaktuar vlerën e kontestit në 2 milionë e 511 mijë e 104 euro e 60 centë. Kjo shumë, sipas padisë, mbështetej në raportet e Drejtorisë për Buxhet dhe Financa të komunës dhe pagesat e realizuara përmes përmbaruesve.
Përfaqësuesja ligjore ka kërkuar që gjykata të caktojë një ekspert financiar, i cili do të përcaktojë veç e veç shpenzimet që, sipas komunës, janë shkaktuar nga zbatimi i kontratave kolektive.
“Propozojmë që të nxirret një ekspertizë financiare, e cila të vërtetojë veç e veç secilin shpenzim të kryer në dëm të komunës, të cilat kanë rrjedhur nga kontrata kolektive”, tha ajo.
E pyetur nga gjyqtari për natyrën e kontestit, Shyti tha se bëhet fjalë për çështje civile dhe se dëmi përfshin periudhën nga lidhja e kontratës së vitit 2017 deri në vitin 2026.
“Konsideroj që është kontest civil. Kompensimi i dëmit përfshin prej lidhjes së kontratës 2017 deri në 2026. Ne vazhdojmë të dëmtohemi, sepse çështjet janë nëpër gjykata”, u përgjigj ajo.
Ndërkaq, gjyqtari Durim Osmani tha se gjykata do ta rivlerësojë kompetencën për shqyrtimin e lëndës, përkatësisht nëse çështja është e natyrës civile apo administrative, para se të vendosë për kërkesën për ekspertizë financiare.
“Para se të vendos për ekspertizë financiare, duke marrë parasysh deklarimet në padi, gjykata do të vendosë jashtë seancës, mirëpo para se të vendosë për ekspertizë financiare, do ta vlerësojë edhe një herë kompetencën e gjykatës për shqyrtimin e kësaj lënde. Do ta vlerësoj edhe një herë nëse është çështje civile ose administrative”, tha Osmani.
Në padi, Komuna e Gjakovës argumenton se Qeveria, përmes MASHTI-t, ka lidhur kontrata kolektive me Sindikatën e Bashkuar të Arsimit, Shkencës dhe Kulturës (SBASHK) më 18 prill 2017 dhe më 22 janar 2021, duke ua bartur komunave detyrimet financiare për zbatimin e tyre, pa siguruar buxhet shtesë.
Sipas komunës, këto kontrata kanë paraparë përfitime të ndryshme për punëtorët e arsimit, përfshirë shujtat ditore, pagat jubilare, pagën përcjellëse, kompensimin e udhëtimit dhe përfitime të tjera.
Komuna pretendon se mungesa e financimit nga niveli qendror ka rënduar buxhetin komunal, pasi përmbarimet kanë prekur edhe kategoritë buxhetore për investime kapitale dhe mallra e shërbime, duke ndikuar në realizimin e projekteve komunale.
Në kërkesëpadi, komuna i referohet edhe nenit 124, paragrafit 3, të Kushtetutës së Kosovës, si dhe dispozitave të Ligjit për Vetëqeverisjen Lokale, të cilat, sipas saj, përcaktojnë se kompetencat e deleguara duhet të shoqërohen me financimin e nevojshëm.
Komuna kërkon që gjykata ta aprovojë kërkesëpadinë, ta detyrojë Qeverinë e Kosovës, përkatësisht MASHTI-n, ta kompensojë dëmin që do të përcaktohet nga eksperti financiar, me kamatë ligjore prej tetë për qind, si dhe t’ia mbulojë shpenzimet gjyqësore.
Seanca e parë përgatitore është zhvilluar pa praninë e palës së paditur. Gjykata pritet ta vlerësojë kompetencën për trajtimin e çështjes para se të vendosë për ekspertizën financiare./EO/






