Komisioni për Legjislacion është ngarkuar për të trajtuar Projektligjin për ndryshimin e Ligjit të Dhomave të Specializuara të Kosovës.
Sipas burimeve të Klan Kosovës kjo ka ndodhur sot dhe tashmë është në vullnet të kryetarit të këtij komisionit, Vigan Qorolli çështja se kur do të mblidhet komisioni për të trajtuar këtë projektligj.
Kujtojmë se Qeveria e Kosovës zhvilloi mbrëmë një mbledhje elektronike, ku i dha dritën e gjelbër ndryshimit të Ligjit për Specialen për ta dërguar projektligjin në Kuvend.
Sipas njoftimit të ekzekutivit, vendimi i përgjigjet kërkesës së Kuvendit për ndryshimin dhe plotësimin e Ligjit për Dhomat e Specializuara dhe Zyrën e Prokurorit të Specializuar.
“Miratuar vendimin me të cilin i përgjigjet kërkesës së Kuvendit të Republikës së Kosovës me nr. Prot.1108 të datës 23.09.2026, për Nismën legjislative për “Projektligjin Nr. 11/L- 001 për ndryshimin dhe plotësimin e Ligjit Nr. 05/L-053 për Dhomat e Specializuara dhe Zyrën e Prokurorit të Specializuar”, për të dhënë vlerësimin që përfshin: opinionin ligjor të përputhshmërisë me acquis të BE-së; vlerësimin e ndikimit buxhetor; dhe, opinionin ligjor lidhur me përmbajtjen e projektligjit në fjalë”, thuhet në njoftim.






