Futbollistet e kombëtares së Kosovës e kanë siguruar kalimin në “play-offin” kualifikues për Botërorin 2027, e po ashtu edhe promovimin në Ligën B për edicionin e ardhshëm.
Kosova të martën mbrëma shënoi fitore shumë të thellë në ndeshjen e fundit të Grupit C2 të kualifikimeve evropiane për Kupën e Botës 2027, çka i mundësoi edhe vendin e parë.
“Dardanet” e mposhtën Gjibraltarin në udhëtim me rezultat të thellë prej 8-0.
Kosova i shënoi pesë gola në pjesën e parë, duke e siguruar fitoren në 45-minutëshin e parë.
Serinë e golave e nisi Donjeta Halilaj. Ajo realizoi në minutën e tretë për 1-0.
Katër minuta më vonë kapitenia Erëleta Memeti shënoi për 2-0. Shpejtë Kosova e shënoi edhe golin e tretë nëpërmjet Kaltrina Biqkajt.
Biqkaj e shënoi golin në minutën e 14-të, ndërsa Memeti shënoi golin e saj të dytë personal për 4-0 në minutën e 21-të.
Lumbardha Misini e shënoi golin e pestë në minutën e 32-të për “Dardanet”.
Golin e gjashtë e shënoi Modesta Uka në minutën e 68-të, kurse Blerta Smaili e shënoi golin për 6-0 në minutën e 76-të.
Pesë minuta para fundit të ndeshjes, Kosova e shënoi edhe golin e tetë. Ishte Gentiana Fetaj futbollistja që shënoi golin për 8-0.
Për Kosovën ishte fitorja më e thellë.
Gjibraltarin e kishte mposhtur edhe në Prishtinë 6-0. Dy fitore i shënoi edhe ndaj Bullgarisë, ndërsa kundër Kroacisë shënoi një fitore dhe pësoi një disfatë.
Disfatën nga kroatet, Kosova e drejtuar nga përzgjedhësi, Sami Sermaxhaj, e pësoi në Prishtinë të premten e kaluar.
Kosova e Kroacia e mbyllën me pikë të barabarta, 15. Por Kosova përfundoi e para me goldallim më të mirë se Kroacia. Kosova shënoi 20 gola dhe pësoi tri, derisa Kroacia realizoi 16 gola dhe pësoi një.
Kroacia e mposhti 4-0 ndaj Bullgarisë ndeshjen e fundit.
Edhe Shqipëria ka siguruar biletën e “play-offit” për Botëror. Megjithëse, në plejof pritet të ketë shtete mjaft kualitative.






