Trajneri i Sunderlandit, Regis Le Bris, ka mbyllur çdo spekulim për një largim të Granit Xhakës drejt Chelseat këtë verë.
Mesfushori shqiptar është lidhur vazhdimisht me një transferim në “Stamford Bridge”, por Le Bris këmbëngul se kapiteni i tij është plotësisht i përkushtuar ndaj Sunderlandit, ndërsa skuadra përgatitet për të garuar në Ligën e Evopës.
Sipas “The Guardian”, Sunderlandi refuzoi menjëherë një ofertë prej 8 milionë funtesh nga Chelsea për Xhakën.
Xabi Alonso, i cili së fundmi mori drejtimin e Chelseat, dëshironte të ribashkohej me Xhakën pas periudhës së tyre të suksesshme te Bayer Leverkuseni.
Megjithatë, Sunderlandi nuk ka asnjë qëllim ta shesë mesfushorin, i cili luajti një rol kyç në kualifikimin e klubit për në Ligën e Evropës sezonin e kaluar.
Xhaka iu bashkua Sunderlandit verën e kaluar dhe ka kontratë deri më 30 qershor 2028. Edhe pse Chelsea vazhdon të jetë i interesuar, klubi anglez mbetet i vendosur ta mbajë kapitenin për aventurën evropiane.
Le Bris foli për këtë çështje pas humbjes 4-2 në ndeshjen miqësore ndaj Liverpoolit të shtunën.
“Jo, kjo çështje është e mbyllur. Ai ka qenë shumë i qartë për të ardhmen e tij. E do Sunderlandin, dëshiron të qëndrojë te Sunderlandi. Dëshiron të ndërtojë të ardhmen e Sunderlandit. Është një kapiten i mirë dhe një lider i madh,” deklaroi trajneri francez.
Duke komentuar merkaton e verës, Le Bris shtoi: “Do të jetë e qetë. Nën radar, apo jo? Nuk do t’ju jap informacione. Po punojmë shumë prapa skenave dhe është shumë e rëndësishme të ruajmë qetësinë, sepse përndryshe krijohet rrëmujë. Kjo merkato do të jetë ndryshe nga ajo e sezonit të kaluar. Atëherë na duhej të transferonim 14 lojtarë të rinj, ndërsa këtë vit nuk do të jetë kështu. Do të shohim se çfarë do të ndodhë”.
Xhaka sjell me vete një përvojë të jashtëzakonshme nga niveli më i lartë i futbollit evropian. Ai zhvilloi 297 ndeshje dhe shënoi 23 gola me Arsenalin, duke fituar dy trofe të FA Cup.
Në Gjermani, mesfushori realizoi nëntë gola në 140 ndeshje me Borussia Monchengladbach dhe gjashtë gola në 99 paraqitje me Bayer Leverkusen. Me klubin gjerman fitoi një titull të Bundesligës, një Kupë të Gjermanisë dhe një Superkupë të Gjermanisë.
Sezonin e kaluar, Xhaka luajti në 34 ndeshje të Premierligës me Sunderlandin, duke kontribuar me një gol dhe gjashtë asistime. Ai ishte gjithashtu një nga lojtarët më të spikatur të Zvicrës gjatë rrugëtimit deri në çerekfinalet e Kupës së Botës 2026.






