Reperi i njohur shqiptar, Stresi, ka bërë të ditur se do të marrë një pauzë nga muzika pas publikimit të disa këngëve të tij, të cilat, sipas tij, kanë qëndruar të bllokuara për arsye teknike.
“Pas këtyre publikimeve do të marr një pauzë nga muzika për një periudhë. Jo sepse kam mbaruar së thëni atë që kam për të thënë, por sepse kam disa projekte të tjera profesionale ku dua të përqendrohem dhe t’u jap gjithë energjinë time”, ka shkruar ai.
Reperi ka shfrytëzuar rastin për t’i falënderuar fansat, kolegët, por edhe kritikët që, sipas tij, kanë qenë pjesë e rrugëtimit të tij artistik.
“Kam kaluar shumë gjëra në këtë rrugë. Kam rënë, jam ngritur, kam humbur njerëz, kam fituar njerëz, por një gjë nuk ka ndryshuar kurrë: respekti dhe dashnia për ata që më kanë qëndruar pranë”, ka deklaruar Stresi.
Në fund, ai ka bërë të qartë se largimi i tij nuk është përfundimtar, duke lënë të hapur mundësinë e rikthimit në muzikë.
“Kjo nuk është lamtumirë. Thjesht po marr pak kohë për të ndërtuar diçka tjetër. Do të shihemi shumë shpejt. Dhe kur të kthehem, do të kem akoma më shumë për t’ju thënë”, ka përfunduar ai.






