Paneli Zgjedhor për Ankesa dhe Parashtresa (PZAP) e ka refuzuar si të pabazuar ankesën e kandidatët për deputet nga radhët e Partisë Demokratike të Kosovës, Petrit Hajdari.
Ankesat e Hajdarit janë cilësuar si të paqëndrueshme andaj të njëjtat janë refuzuar, thuhet në vendimin e PZAP-së.
Sipas vendimit të PZAP-së, Hajdari nuk ka siguruar prova bindëse për ta vërtetuar dyshimin e tij.
Paneli i PZAP-së i ka vlerësuar si të paqëndrueshme pretendimet e Hajdarit, për shkak se sipas tyre marrja e deklaratave të personave që kinse kanë votuar për kandidatin për deputet nuk janë të drejta dhe e cenojnë procesin e votimit dhe të drejtën e fshehtësisë së votës që garantohet me ligj.
Kandidati me numër 51 nga radhët e PDK-së, Petrit Hajdari kishte dorëzuar tri ankesa në PZAP më 16 mars duke kërkuar rinumërim të votave.
Ai ishte ankuar për parregullsi gjatë procesit të numërimit të votave në dy vendvotime. Në vendvotimin nr.0316/02 në Komunën e Drenasit dhe vendvotimin nr.2066/02 në Komunën e Prizrenit.
Përpos Hajdarit, ankesa në PZAP pas shpalljes së rezultateve finale kishte dorëzuar Lëvizja Vetëvendosje dhe Agron Kuçi nga AAK-ja.