Misioni paqëruajtës i NATO-s në Kosovës, KFOR-i, ka theksuar për Klan Kosovën nevojën që “të shmangen veprime që mund të krijojnë tensione të panevojshme”, në dritën e paralajmërimit nga kryetari i Asociacionit të qytetarëve të Qarkut të Mitrovicës, Rasha Rojeviq, se të premten, më 6 shtator, do të fillojë bllokada e të gjitha vendkalimeve në Kosovë.
Rojeviq paralajmëroi se bllokada do të vazhdojë derisa forcat policore të Kosovës të tërhiqen nga veriu i Kosovës dhe institucionet t’u kthehen serbëve, duke përmendur Rezolutën 1244.
“Bllokada do të fillojë të premten dhe do të zgjasë derisa forcat policore të Kosovës të tërhiqen nga veriu i Kosovës dhe t’u kthehen serbëve institucionet e uzurpuara. Ne gjithashtu kërkojmë që KFOR-i, në përputhje me mandatin e Rezolutës 1244, të marrë kontrollin e veriut të Kosovës”, tha Rojeviq, raporton KoSSev.
Ai tha se bllokada do të kryhet nga qytetarët nga Serbia qendrore, Mali i Zi dhe Republika Srpska, duke përjashtuar qëllimisht serbët që banojnë në Kosovë për – siç pretendon ai – t’i mbrojtur ata nga hakmarrja e mundshme nga policia e Kosovës.