Policia e Kosovës gjatë një operacioni gjatë ditës së djeshme në autostradën Prizren-Veri ka sekuestruar 18 kilogramë drogë, e llojit marihuanë.
Gazeta Insajderi nga burime të sigurta brenda Prokurorisë në Prizren ka marrë vesh se dy të arrestuarit nga aksioni i mbrëmshëm janë Daim Daçaj dhe Bekim Cikaj, ndërsa Kadri Berisha është shpallur në kërkim policor.
Prokuroria Themelore në Prizren tha se do të paraqesin kërkesën për për caktimin e masës së paraburgimit.
“Kundër të dyshuarve, prokuroria brenda afatit ligjor do të paraqesë kërkesë për caktimin e masës së paraburgimit, dhe për të njëjtit do të vazhdohet me veprime të tjera hetimore”, thuhet në përgjigje.
Nga kjo prokurori kanë konfirmuar për Insajderin se dy të dyshuarit janë akuzuar edhe për vepra tjera kriminale në të kaluarën.
“Në bazë të të dhënave nga data baza e prokurorisë, rezulton se të njëjtit kanë të kaluar kriminale”, thanë nga Prokuroria e Prizrenit.
Në cilësi të provave materiale policia ka sekuestruar dy vetura, dy telefona si dhe prova të tjera që ndërlidhen me rastin.