Prokuroria Themelore në Mitrovicë – Departamenti i Përgjithshëm ka paraqitur kërkesë pranë Gjykatës Themelore në Mitrovicë – dega Vushtrri, për caktimin e masës së paraburgimit ndaj të pandehurit me iniciale F.SH., për shkak të kryerjes së veprave penale ”Mbajtja në pronësi, kontroll ose posedim të paautorizuar të armëve”, “Përdorimi i armës apo mjetit të rrezikshëm“ dhe “Kanosja“.
Ekziston dyshimi i bazuar mirë, se me 29 korrik 2026, në fshatin Pantinë të Vushtrrisë, pasi tre punëtorë të Kompanisë rajonale të ujësjellësit “Mitrovica” kishin bërë shkyçjen e furnizimit me ujë në pronën e tij, i pandehuri F.SH. i ka kanosur ata dhe ka shkrepur armë me gaz në drejtim të automjetit zyrtar të KRU “Mitrovica”.
Po ashtu, i pandehuri dyshohet se ka kanosur zyrtarët e KRU “Mitrovica” se do t`i vrasë të tretë nëse e lajmërojnë rastin në polici.
Me vendim të prokurorit, i pandehuri ndodhet në ndalim që nga e shtuna, ndërsa arma me gaz i është sekuestruar.






