Kënga nacionaliste serbe në Bruksel, Lushaku: Kosova po paguan çmimin e dobësimit të aleancave ndërkombëtare

- Advertisement -

Deputetja e Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK), Jehona Lushaku ka reaguar pas interpretimit të një kënge nacionaliste serbe gjatë hapjes së Forumit të Zgjerimit të Bashkimit Evropian në Bruksel.

Përmes një reagimi, Lushaku-Sadriu e ka cilësuar të papranueshëm interpretimin e këngës që përmban pretendime territoriale ndaj Kosovës, duke kërkuar sqarim dhe përgjegjësi për atë që ndodhi.

Ajo ka thënë se ky incident duhet të shërbejë si një moment reflektimi për institucionet e Kosovës, duke theksuar rëndësinë e aleancave dhe marrëdhënieve me partnerët ndërkombëtarë.

“Ajo që ndodhi mbrëmë në Bruksel duhet të na shtyjë drejt një reflektimi serioz shtetëror: kur dobëson miqësitë dhe aleancat ndërkombëtare, dobëson edhe peshën e shtetit. Rrezikon të shpërfillesh edhe në forumet ku diskutohet e ardhmja jote”, ka thënë Lushaku-Sadriu.

Reagimi i plotë i Lushakut:

Shtëpia s’mbahet pa miq. As shteti pa aleatë.

Ajo që ndodhi mbrëmë në Bruksel duhet të na shtyjë drejt një reflektimi serioz shtetëror: kur dobëson miqësitë dhe aleancat ndërkombëtare, dobëson edhe peshën e shtetit. Rrezikon të shpërfillesh edhe në forumet ku diskutohet e ardhmja jote.

Interpretimi i muzikës së një kënge me pretendime territoriale ndaj Kosovës, në një aktivitet të Komisionit Evropian për zgjerimin, është i papranueshëm dhe kërkon sqarim e përgjegjësi. Por ne duhet të shohim edhe pozitën në të cilën është sjellë Kosova.

Ky pushtet nuk e ka kuptuar asnjëherë sa jetike janë aleancat për shtetin tonë. Për vite, me arrogancë, sjellje të pamatur dhe shpërfillje ndaj partnerëve evropianë e amerikanë, ka cenuar besimin që Kosova e ka ndërtuar me aq mund. Sot kemi një Kosovë më të dobët ndërkombëtarisht.

Lobimi dhe ndikimi serb punojnë edhe kur ne jemi në gjumë. Ndërtojnë kontakte, kërkojnë përkrahje dhe shfrytëzojnë hapësirat që lëmë bosh. Përballë tyre, Kosovës i duhet diplomaci aktive dhe miq që ia mbështesin interesat edhe kur përfaqësuesit e saj nuk janë në sallë.

Një diplomaci ku lidhjet familjare e partiake marrin përparësi ndaj përgatitjes profesionale nuk mund ta përballojë këtë betejë. Kur përfaqësimi i shtetit trajtohet si shpërblim për besnikëri ndaj pushtetit, pasojat i bart Kosova. Dobësia që po shohim sot duhet të na bëjë të kërkojmë llogari edhe për mënyrën se si ndërtohet dhe drejtohet shërbimi ynë diplomatik.

Prandaj, përgjegjësia e Qeverisë shkon përtej reagimeve pas incidentit. Ajo duhet të japë llogari për marrëdhëniet që ka cenuar, për besimin që ka humbur dhe për punën që duhet bërë për ta rikthyer Kosovën në tavolinat ku vendoset.

Duartrokitjet partiake nuk e kompensojnë humbjen e mbështetjes ndërkombëtare. Çmimin e kësaj politike e paguan shteti jonë.

 

Të ngjashme

Të fundit