Princi Harry dhe Meghan i kanë dërguar urimet e tyre Kate, Princeshës së Uellsit, pasi ajo njoftoi diagnozën me kancer.
“Ne dëshirojmë shëndet dhe shërim për Kate dhe familjen dhe shpresojmë që ata të jenë në gjendje ta bëjnë këtë privatisht dhe në paqe”, tha Duka dhe Dukesha e Sussex në një deklaratë.
Princesha e Uellsit, Kate tha të premten se po i nënshtrohej kimioterapisë parandaluese pasi u diagnostikua me kancer, në vijim të kontrolleve pas një operacioni abdominal në muajin janar, transmeton Top Channel.
42 vjeçarja, bashkëshortja e trashëgimtarit të fronit, Princit Willam qëndroi e shtruar për 2 javë në spital në janar.
Zyra e saj njoftoi asokohe se ndërhyrja për një sëmundje jokancerogjene rezultoi e suksesshme, por pa dhënë detaje mbi sëmundjen.
Megjithatë, në një video-mesazh, Princesha Kate tha se në kontrollet e mëvonshme ishin zbuluar qeliza kancerogjene, por ajo tha se ishte mirë dhe gjendja e saj po përmirësohej.
“Ekipi im mjekësor më këshilloi që t’i nënshtrohem një trajtimi parandalues me kimioterapi dhe tani jam në fazat e hershme të këtij trajtimit”, tha Princesha në videon e cila ishte regjistruar të mërkurën.
“Ishte një tronditje e madhe. Unë dhe William kemi bërë gjithçka që mundemi për ta përballuar këtë privatisht, për hir të familjes sonë të re”, tha ajo.