Kasolli: Kurti po kryen mision të dyfishtë, edhe tension, edhe zbatim të Marrëveshjes së Ohrit

- Advertisement -

Politologu Afrim Kasolli vlerëson se, pavarësisht tensioneve që shihen në publik mes Qeverisë së Kosovës dhe partnerëve ndërkombëtarë, qasja e kryeministrit Albin Kurti në dialogun me Serbinë u shkon më së shumti për shtati ndërmjetësve ndërkombëtarë.

Sipas Kasollit, interesi i Bashkimit Evropian mbetet zbatimi gradual i marrëveshjeve të arritura në Bruksel dhe Ohër, ndërsa kjo po ndodh pa krijuar tensione të mëdha në opinionin e brendshëm. Ai thotë se, përderisa qytetarëve u thuhet se Kosova nuk i ka pranuar këto marrëveshje për shkak të mungesës së nënshkrimit nga presidenti i Serbisë, në praktikë zbatimi i tyre tashmë ka nisur.

Kasolli i referohet edhe deklaratës së të dërguarit të Bashkimit Evropian për dialogun, Peter Sorensen, i cili ka thënë se ka filluar zbatimi i marrëveshjeve.

Sipas politologut, Kurti po realizon një “mision të dyfishtë”: nga njëra anë ruan retorikën e rezistencës ndaj presionit ndërkombëtar për konsum të brendshëm politik, ndërsa nga ana tjetër zbaton obligimet që dalin nga Marrëveshja e Ohrit, duke u shndërruar në një partner funksional për Brukselin.

Kasolli përfundon se, për zyrtarët evropianë, më shumë rëndësi ka zbatimi i marrëveshjeve sesa retorika politike, duke shtuar se ajo që ka peshë është përmbushja e agjendës diplomatike që ai e përshkruan me shprehjen: “Finish the job”.

Të ngjashme

Të fundit