Themeluesja e Fondit për të Drejtën Humanitare, Natasha Kandiq, ka kritikuar ashpër vendimin e presidentit të Serbisë, Aleksandar Vuçiq, për nderimet shtetërore ndaj Ratko Mlladiqit, të dënuar për gjenocid dhe krime të rënda të luftës.
Kandiq për emisionin “Info Magazine” në Klan Kosova tha se mbulimi i arkivolit të Mlladiqit me flamurin e Serbisë, pas sjelljes së trupit të tij në Beograd, përbën një tregues se pushteti serb ka shkelur institucionet dhe ka goditur shpresën për një të ardhme.
“Ky president serb me këtë varrimin dhe dhënien e nderimeve shtetërore për të dënuarin për gjenocid Ratko Mlladiq, tregon në fakt që ai nuk ka bërë asnjë tërheqje nga e kaluara e tij radikale dhe që ai i shkakton dëme shtetit dhe të gjithë qytetarëve të këtij vendi. Sepse në Serbi jetojnë qytetarë të nacionaliteteve të ndryshme”.
“Vuçiq, vazhdimisht inkurajon dhe perforcon nacionalizmin ekstrem. Atë që e kemi parë deri sot është se në rrugë nuk ka të rinj që protestojnë por mbetet të shihet se si do të jetë situata sot dhe të hënën po ashtu. Pastaj do ta kemi vlerësimin final se ku gjendet ky vend dhe çka arriti krejt Aleksandar Vuçiq dhe shërbimi i tij. Përfundimisht, Serbia nuk do të jetë e njëjta pas kësaj ngjarjeje, pra pas këtij degradimi moral, politik e civilizues”.
Kandiq kritikoi edhe ndikimin që kjo situatë mund të ketë në marrëdhëniet e Serbisë me vendet fqinje. Ajo tha se nderimet ndaj Mlladiqit përbëjnë një qëndrim të qartë ndaj viktimave dhe vendeve që u prekën nga krimet për të cilat ai u dënua”.
“Me vendimin për t’i bërë nderime shtetërore Mlladiqit, presidenti serb qartazi ka treguar edhe qëndrimin e tij që e ka ndaj vendeve fqinje, ndaj viktimave, për të cilat është përgjegjës pikërisht ky gjenerali i dënuar . Pas këtij turpi të tmerrshëm, ai mbylli hapësirën për komunikim e bashkëpunim, jo vetëm pushtetit , por të gjithë qytetarët i solli në situatë që askush më nuk e ka të lehtë që të komunikoj me fqinjët”.






