13.2 C
New York
Thursday, November 12, 2026

Buy now

Kadrijaj pyet për 171 mjekët e kthyer në Kosovë: Ku janë punësuar dhe me çfarë kontratash?

- Advertisement -

Deputetja e Aleancës, Time Kadrijaj, në seancën plenare të Kuvendit të Kosovës, ka kërkuar sqarime nga ministri i Shëndetësisë, Arben Vitia, lidhur me deklaratën e kryeministrit Albin Kurti se gjatë vitit 2025 në Kosovë janë kthyer 171 mjekë për të jetuar dhe punuar.

Kadrijaj ka kërkuar nga ministri Vitia që të bëjë publike të dhënat për këta profesionistë shëndetësorë, duke përfshirë identitetin profesional, institucionet ku janë sistemuar dhe pozitat në të cilat janë punësuar.

Ajo ka rikujtuar se kryeministri Kurti, më 7 nëntor, gjatë hapjes së edicionit të katërt të Swiss Medical School në Prishtinë, e kishte cilësuar këtë si «kthim të trurit».

Megjithatë, sipas sqarimeve të dhëna nga këshilltari i ministrit të Shëndetësisë, Durim Elshani, nga 171 profesionistët e licencuar gjatë vitit 2025, vetëm 12 janë shtetas të Kosovës që janë kthyer pas përfundimit të specializimit jashtë vendit, ndërsa 159 të tjerët janë profesionistë me shtetësi të huaj ose të dyfishtë.

Deputetja Kadrijaj ka kërkuar të dijë nëse bëhet fjalë për mjekë që janë kthyer realisht dhe janë punësuar në sistemin shëndetësor, apo për profesionistë që vetëm janë pajisur me licenca për ushtrimin e profesionit në Kosovë.

Ajo ka ngritur edhe çështjen e mjekëve specialistë të papunë, të cilët vazhdojnë të presin mundësi punësimi në institucionet shëndetësore të vendit.

Sipas saj, ndërkohë që flitet për kthimin e mjekëve nga diaspora, në Kosovë ka mbi 80 specialistë të papunë që presin të punësohen.

Kadrijaj ka kërkuar nga ministri Vitia të sqarojë se në cilat institucione shëndetësore janë sistemuar këta profesionistë, sa prej tyre punojnë në sektorin publik e sa në atë privat, si dhe nëse janë punësuar me kontrata të rregullta apo me angazhime të përkohshme dhe orar të pjesshëm.

Ajo ka theksuar se nuk është kundër kthimit të mjekëve nga diaspora, por ka kërkuar transparencë dhe mundësi të barabarta punësimi për të gjithë profesionistët shëndetësorë.

Kadrijaj ka kërkuar nga Ministria e Shëndetësisë publikimin e një raporti të detajuar për 171 profesionistët, në mënyrë që të dihet se kush janë, ku punojnë dhe në çfarë baze janë sistemuar në institucionet shëndetësore të Kosovës.

Të ngjashme

Të fundit