Juventus ka filluar bisedimet me menaxhmentin e yllit të skuadrës së Barcelonës, Robert Lewandowski.
Sulmuesi polak, i cili mund të jetë i disponueshëm si lojtar i lirë gjatë muajit qershor, shihet i gatshëm për një aventurë të re në Serie A.
Sipas mediave italiane, lojtari është duke e konsideruar kalimin te Juventusi si një mundësi reale për të ruajtur konkurrueshmërinë në nivelet më të larta të futbollit europian, pavarësisht moshës që ka.
Agjenti i tij, Pini Zahavi, ka zhvilluar së fundmi takime me drejtuesit e klubit bardhezi për të diskutuar parametrat fillestarë të një marrëveshjeje të mundshme, si dhe për të vlerësuar hapësirat financiare dhe sportive që ofron projekti i Juventusit.
Mediat italiane kanë raportuar se Lewandowski kërkon një kontratë dyvjeçare me përfitime që variojnë nga 8 deri në 10 milionë euro neto në sezon, të shoqëruara me bonuse të lidhura me performancën.
Drejtori sportiv Damien Comolli, transmeton Klankosova.tv, në bashkëpunim me trajnerin Luciano Spalletti, e kanë vendosur si prioritet afrimin e një qendërsulmuesi me eksperiencë, i cili mund të garantojë stabilitet dhe efikasitet në repartin ofensiv.
Vendimi përfundimtar pritet të merret në javët në vijim dhe do të ndikohet ndjeshëm nga kushtet ekonomike të marrëveshjes, si dhe nga strategjia e përgjithshme e klubit për rindërtimin e sulmit gjatë afatit kalimtar veror.






