Jeton Mehmeti nuk është më kryetrajner i Drenicës.
Mehmeti ka njoftuar se ka dhënë dorëheqje nga detyra e kryetrajnerit të skuadrës nga Skenderaj, duke bërë të ditur se rrethanat e krijuara së fundmi e kanë bërë të pamundur vazhdimin e bashkëpunimit.
Përmes një njoftimi, ai ka falënderuar kryetarin e klubit, Halim Bajraktari, lojtarët dhe të gjithë anëtarët e tjerë të klubit për bashkëpunimin, si dhe personat që e kanë mbështetur gjatë kësaj periudhe.
“Rrethanat e krijuara së fundi e bënë të pamundur vazhdimin e bashkëpunimit të mëtejmë”, ka shkruar Mehmeti, duke përmendur se periudha e tij te Drenica ishte e mbushur me probleme e sfida, por edhe me gjëra pozitive.
Ai ka theksuar se është krenar për punën e bërë dhe rezultatet e arritura, duke vlerësuar se klubi ka tejkaluar pritshmëritë.
“Kam punuar me pasion, përkushtim e profesionalizëm, gjë që tregojnë edhe rezultatet e arritura, ku klubi është mbi pritshmëritë, gjë që askush nuk besonte në këto rezultate”, ka deklaruar ai.
Në fund, Mehmeti ka theksuar se largohet nga klubi me kokën lart dhe ndërgjegje të pastër.
“Ndjehem krenar me punën time dhe largohem me kokën lart e ndërgjegje të pastër”, ka përfunduar ai.
Drenica momentalisht është e shtata në tabelë, me 11 pikë nga 11 ndeshje. Në xhiron e fundit, drenicasit u mposhtën 2-0 në shtëpi nga Malisheva./GazetaExpress/
NJOFTIMI I PLOTË I TIJ:
“Miq të dashur ju informoj që sot kam dhënë dorëheqje nga detyra e kryetrenerit te KF Drenica, ishte një periudhë me plotë probleme e sfida e gjëra pozitive”.
“Falënderoj Kryetarin Halim Bajraktari për mundësinë e dhënë, gjithashtu falëndërim për lojtarët e deri tek mirëmbajtësit e ekonomët e klubit, gjithashtu falëndëroj gjithë ata që më suportuan, si dhe ata që me paragjykuan pa të drejt, rrethanat e krijuara së fundi e bënë të pamundur vazhdimin e bashkëpunimit të mëtejmë”.
“Kam punuar me pasion dhe përkushtim e profesionalizëm, gjë që tregojnë edhe rezultatet e arritura ku klubi është mbi pritshmërit, gjë që askush nuk besonte në këto rezultate,ndihem krenar me punën time dhe largohem me kokën lart e ndërgjegje të pastër”.






