Jashari: PDK nuk duhet të hyjë në koalicion me LVV-në, ajo nuk kërkon partneritet, por nënshtrim

- Advertisement -

Anëtari i Partisë Demokratike të Kosovës, Shemsi Jashari, ka kritikuar Lëvizjen Vetëvendosje dhe kryeministrin në detyrë, Albin Kurti, për, siç tha ai, mungesën e seriozitetit në krijimin e institucioneve të reja pas zgjedhjeve.

Jashari deklaroi se vonesat në konstituimin e institucioneve janë pasojë e papërgjegjësisë së partisë fituese, duke e akuzuar LVV-në se po i jep përparësi interesave partiake para atyre shtetërore.

“Dicka që kemi parë në të kaluarën, po vazhdon të ndodhë edhe tash, papërgjegjësi e partisë fituese në këtë rast LVV për të kuptuar urgjencën e krijimit të institucioneve dhe kjo indiferencë, kjo neglizhencë për të filluar diskutimet për krijimin e institucioneve po tregon që Kurti nuk e ka hallin e shtetit po të partisë. Është e vetmja LVV dhe eksponentë të saj që presin që opozita duhej ta donë pozitën, që opozita duhet të ketë mëshirë për pozitën dhe të luftoj që ta mbajë në opozitë një subjekt tjetër, duket qartë se ata nuk e kanë kuptuar këtë sistem demokracie”, deklaroi Jashari në emisionin “Ditari” në Tëvë1.

Duke folur për mundësinë e bashkëpunimit mes PDK-së dhe LVV-së, Jashari tha se ndonëse PDK nuk ka vija të kuqe ndaj partive shqiptare, çdo marrëveshje duhet të paraprihet nga diskutimet serioze dhe dakordim mbi parimet e bashkëpunimit.

“Me kohë ka pasur një qëndrim të qartë se PDK nuk ka vija të kuqe për partitë e subjekteve politike shqiptare, po para një marrëveshje duhet dakordim duhet të ulen, të diskutojnë dhe të vendosen disa parime mbi të cilat duhet të arrihej një marrëveshje pastaj t’i qëndron asaj marrëveshje për krijimin e institucioneve. Unë mendoj që PDK nuk do duhej të përfshihej në asnjë formë, në asnjë marrëveshje me LVV-në, nuk do duhej të ishte në koalicion as në nivelin qendror e as në nivelin lokal, do duhej që të mban qëndrimin e vet opozitar, të bënë një analizë të qartë të atyre shkaqeve që dërguan në këtë rezultat që e kemi dhe të rikthehet dhe të punoj fuqishëm me qytetar për t’u rikthyer si subjekti i parë politik në proceset e ardhshme”, tha ai.

Ai theksoi se PDK nuk duhet të hyjë në koalicion me LVV-në, as në nivel qendror e as në atë lokal, por të mbetet në opozitë dhe të punojë për rikthimin si forca e parë politike në zgjedhjet e ardhshme.

“Duke parë papërgjegjësinë e Kurtit dhe LVV-së, nuk pres ftesa serioze dhe as nuk mendoj se PDK-ja duhet t’i përgjigjet ftesave që bëhen vetëm për marketing. LVV nuk kërkon partneritet, por kërkon subjekte që i nënshtrohen”, deklaroi Jashari.

Të ngjashme

Të fundit