Kryetari i NISMA Socialdemokrate, Fatmir Limaj ka komentuar mospërfshirjen e ish-presidentëve Hashim Thaçi dhe Ibrahim Rugova në videon që e ka shpërndarë sot kryeministri Albin Kurti me rastin e 16 vjetorit të shpalljes së Pavarësisë.
Limaj e ka quajtur veprim të turpshëm dhe anti-kombëtar.
“E turpshme e turpshme, marre, marre, marre… për të gjithë ata. Kjo tregon në dorën e kujt e ke shtetin. Këta njerëz janë duke e përmysur shtetin. Janë aq anti-shtet, anti-komb, anti-histori. Nuk është mosdurim politik, është jo njerëzillëk. Neve sot na drejtojnë njerëz mosmirënjohës.”, tha ai në DPT te Fidani.
Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka publikuar videon që përmbledh sukseset e Kosovës në 16 vjet shtet.
Në video, janë përfshirë shumë sekuenca me fëmijë, me objekte të ndryshme historike të Kosovës, me këngëtarë e me sportistë të njohur, që dhanë kontributet e tyre në Kosovë.
Në fillim të videos, paraqitet komandanti i UÇK-së Adem Jashari, ndërsa ka edhe pamje gjatë luftës në Kosovë.
Mirëpo në këtë video, faqja e kryeministrit në Facebook nuk ka përfshirë dy figurat e ish-presidentëve të Kosovës, Ibrahim Rugovës dhe Hashim Thaçit. Ish-presidenti Thaçi gjatë vitit 2008 ishte kryeministër dhe lexoi Deklaratën e shpalljes së Pavarësisë së Kosovës
Në këtë video shfaqet dhuna serbe, protestat e studentëve, lufta e UÇK-së, bombardimet e NATO-s dhe kishte pak vend vetëm për shtëpinë muze të Pavarësisë.
Në këtë video gjithashtu shfaqen edhe disa suksese të Kosovës në botën e muzikës dhe sportit. Përfundon me liberalizimin e vizave.