Ish-presidentja e Kosovës, Atifete Jahjaga, ka thënë se përparimi i grave nuk duhet të matet vetëm me praninë e tyre në institucione, por edhe me ndikimin që kanë në vendimmarrje. Ajo ka theksuar se dekada e ardhshme kërkon kalimin nga përfaqësimi te ndikimi dhe nga zotimet te rezultatet.
Jahjaga i bëri këto deklarata në konferencën ndërkombëtare “Partneritet për ndryshim: Gratë që transformojnë sistemet – Avancimi i Parimeve të Prishtinës 2026–2035”, ku foli për përparimin e arritur dhe sfidat në avancimin e rolit të grave.
“Në një moment të rëndësishëm, 14 vjet më parë, e sot kemi mundësinë që në atë kujtesë ta shndërrojmë në përgjegjësi, të njohim përparimin të reflektojmë mbi atë që mbetet e papërfunduar, ndërkohë që përcaktojmë ambiciet tona për dekadën që neve e kemi përpara. Në vitin 2012, parimet e Prishtinës artikuluan një vizion që sot duhet të jetë standard i qeverisjes demokratike, sepse pa pjesëmarrjen e plotë dhe lidershipin e grave nuk mund të ketë siguri gjithëpërfshirëse, drejtësi të plotë, zhvillim të qëndrueshëm dhe paqe afatgjate”, tha ajo.
Ajo ka vlerësuar se, ndonëse gratë janë më të pranishme në institucione dhe fusha të ndryshme, ende mbetet e nevojshme që përfaqësimi i tyre të shndërrohet në ndikim konkret.
“Ndërsa 14 vjet më vonë, gratë janë më të pranishme në institucione, drejtësi, diplomaci, siguri, ekonomi dhe akademi. Por pikërisht ky progres duhet të na bëjë edhe më të kërkues ndaj të gjithë asaj se çfarë ne parashihemi në dekadën që shohim përpara nesh. Sepse përparimi nuk matet vetëm me praninë e grave; ai matet me fuqinë e tyre për të formësuar vendimet, përfaqësimi është i domosdoshëm, por nuk është qëllim në vete. Ndërsa barazia në ligj fiton kuptim vetëm kur përkthehet në barazi të mundësive, qasje në burime dhe mundësi reale, për të udhëhequr. Prandaj, dekada që kemi përpara kërkon një standard më të lartë, nga përfaqësimi tek ndikimi, nga qasja tek autoriteti, nga zotimet tek rezultatet. Dhe nga përfshirja në sistem tek aftësia për të transformuar atë. Ky është kuptimi i Konferencës sonë “Gratë që Transformojnë Sistemet””, tha ajo. /EO/









