Nga pozita e ish-presidentes së vendit, ajo kërkoi më shumë kohë në mënyrë që të shihen punët e Qeverisë aktuale. Jahjaga nga përvoja e saj pesë vjeçare si e para e shtetit, zbuloi edhe një mësim që ka nxjerr.
Vetëm 13 ditë para se të festonte ditëlindjen e saj të 36, Jahjaga me prejardhje nga fshati Rashkoc i Gjakovës e cila nga viti 2000 i shërbeu vendit nën uniformën e policisë, u emërua Presidente e Republikës së Kosovës, për ta mbajtur këtë pozitë deri në vitin 2016.
Në rrafshim e brendshëm, kemi një Qeveri të re të cilës duhet t’i japim kohë për të parë rezultate konkrete. Në rrafshin e jashtëm, sfidë mbetet normalizimi i marrëdhënieve me Serbinë, avancimi ynë në integrimin në struktura euro-atlantike, dhe fuqizimi ynë si shtet në arenën ndërkombëtare. Shqetësuese për mua mbetet qasja e Serbisë në raport me Kosovën dhe kryeneçësia e politikanëve serbë kur bëhet fjalë për çështje dhe tema për të cilën kanë folur instancat më të larta të drejtësisë në vendin tonë. Shpresoj se në kuadër të dialogut në mes të Kosovës dhe Serbisë të shohim një sh’tensionim të situatës dhe vazhdim të bisedimeve në të mirë të qytetarëve të të dyja shteteve tona”, ka deklaruar Jahjaga për Telegrafin.
E pyetur se ç’do të bënte ndryshe, Jahjaga thotë se është e lehtë të komentosh kur nuk ke përgjegjësi kushtetuese.
“Është shumë e lehtë të japësh komente apo ide për të bërë gjëra ndryshe kur nuk i ke më përgjegjësitë ligjore e kushtetuese që bart me vete një pozitë udhëheqëse shtetërore, por është shumë e vështirë të shtysh përpara ndryshime pozitive duke respektuar kërkesat e nevojat e të gjithë qytetarëve të Republikës së Kosovës. Në këtë drejtim dua të ndaj një mësim që kam nxjerrë nga përvoja ime si presidente e Republikës: Sa më shumë karrige që shton në tryezën e vendimmarrjes, aq më të mira dhe funksionale janë vendimet që merr dhe politikat që krijon. Pra, do të doja të shihja më shumë përfaqësim të grave, të rinjve e grupeve minoritare e të margjinalizuara në tryezat e vendim- marrjes dhe politik bërjes në Kosovë”, ka thënë Jahjaga.