Ish-kryetari i Komunës së Deçanit, Rasim Selmanaj, ka thënë se vendimi i kryeministrit Albin Kurti që Agjencia Kadastrale të nisë të zbatojë vendimin e Gjykatës Kushtetuese për Manastirin e Deçanit është i befasishëm.
Në Info Magazine të Klan Kosovës, ai ka deklaruar se ky vendim është i ndikuar politikisht.
“Unë e kam të njëjtin qëndrim që kisha tetë vjet sa isha kryetar, është vendim i padrejtë dhe është i ndikuar drejtpërdrejt nga politika. Ky vendim absolut nuk ka të bëjë me drejtësinë, mirëpo fatkeqësisht gjykatësit e Kushtetuese kanë rënë në këtë ndikim të politikës, me përjashtim të një gjykatësi që ka refuzuar në atë kohë që të votojë kundër ndërmarrjeve shoqërore”.
“Mendoj se ka qenë një vendim i befasishëm nga kryeministri Albin Kurti për faktin se ky e ka pasë kauzë na ka mbështetë si komunë si qytetarë në luftën tonë për të fituar këtë betejë. Pra, ky ndryshim tani radikal ka qenë shumë i papritur, por e di që ka qenë në presion”.
“Përpjekja për të lëshuar mjegull është e pasuksesshme sepse e vërteta është krejt ndryshe, asnjë komunë e asnjë kryetar nuk e ka asnjë kompetencë ndaj pronave shoqërore, Komuna e Deçanit nuk e ka asnjë kompetencë. Prandaj, ligjet e aplikueshme në Kosovë asnjë kompetencë nuk ia japin komunës për pronat publike”, ka thënë Selmanaj.