Në vazhdën e rrëfimeve nga ish të burgosurit politik në “Debat Plus”, kësaj here ishte i ftuar për t’i ndarë përjetimet e tij edhe Ramadan Gashi, i cili ishte arrestuar nga ish-regjimi sero-jugosllav për organizimin e protestave të marsit 1981.
Gashi e tregoi në detaje momentin e arrestimit duke e përmendur me emër pjesëtarin e UDB-së, Januz Loshin, i cili mori pjesë në arrestimin e tij.
“Jam arrestuar më 9 korrik, deri na kanë ra në gjurmë grupit organizativ… kam qenë në provimin e parafundit pas dy ditëve e kisha provimin me diplomu. Duke shkuar në shtëpi në autobusin për Skënderaj më kanë prit dhe më morën me vete. Më arrestuan në stacionin e autobusëve ku ndalen udhëtarët, ishte Januz Loshi, i cili kishte ardhë me një veturë dhe policinë”, tha ai.
Gashi pohoi se Januz Loshi ishte pjesëtar i UDB-së, por që nga ai nuk kishte përjetuar tortura.
Me t’u arrestuar, Gashi ishte dërguar në burgun e Mitrovicës ku ishte pritur nga pjesëtari tjetër i UDB-së, Asllan Sllamniku, i cili, sipas tij, ishte përgjegjës për grupin ku bënte pjesë edhe ai.
Ai tha se Sllamniku përdorte dhunë çnjerëzore ndaj të burgosurve politikë shqiptarë.
“Më ka çu në Mitrovicë, aty më ka pritë Asllan Sllamniku… ai ka qenë përgjegjës për grupin tonë, ashtu është prezantu dhe ashtu ka dalë, nga përpjekjet e tij dhe torturat çnjerëzore. Asllan Sllamniku e kisha klasifiku në grupin që e ka ditë që po mendon detyrën mirë, por e ka kry në mënyrë shtazarake, panjerëzore, edhe qëllimin e ka pas të tillë”, tha ai.
Ai tutje tregoi edhe për mënyrën se si torturonte Asllam Sllamniku.
“Asllan Sllamniku menjëherë filloi marrjen në pyetje, më 11 mars ku ke qenë, më tha a ke qenë në demonstrata, i thashë po. Tha kush i ka organizu, i thashë ne disa studentë e kem organizu 11 marsin, filloi menjëherë na e shau nënën. Tha kush ju ka mobilizu? Bëri torturë sa ia murr mendja dhe po më thotë a e njeh Gani Kocin, i thashë po e njoh, tha me qet pendrek me ia msy murit e thej kapak-kapak, tha ja është mundu me i qëndru Gani Koci këtij pendreku ja s’del kush, tha vetëm je te llomit veten. I thashë kemi organizu demonstratat, tha ja duhet me tregu kush. Vazhdoj dhunën me shuplaka fytyrës dhe shkop duarve”, tha ai.
Po ashtu, ai foli edhe për një moment tjetër kur, sipas tij, pjesëtari i UDB-së, Nexhmedin Ajeti, kishte hyrë në dhomën ku po merrej në pyetje nga Asllan Sllamniku, dhe e kishte goditur Gashin me grusht në fytyrë.
“Një moment të nesërmen apo të masnesërmen, isha duke folë me të, në këmbë isha. Ndërkohë ka hy një UDB-ash i Mitrovicës, Nexhmedin Ajeti, as që e prita prej tij vetëm erdh e më goditi, isha duke fol me Asllanin, ai më goditi me grusht fytyrës më gjuajti, ai eci e dul, s’e kam parë më, por e kam marrë vesh. Ka vazhdu katër pesë herë dhuna me Asllanin, më s’jam marrë në pyetje, deklarata ime s’ka ndryshu”, tha ai.