Inspektoriati Policor i Kosovës ka shënuar 20-vjetorin e themelimit. Nga udhëheqësit shtetëror e drejtues të institucioneve u çmua mbajtja e standardeve profesionale ndër vite.
Kryeshefi Ekzekutiv, Kushtrim Hodaj tha se sot IPK ka arritur të jetë me reputacion dhe përtej kufijve. Hodaj ka potencuar se anëtarësimi në mekanizma ndërkombëtarë si dhe bashkëpunimi i ngushtë me agjencitë homologe në rajon dhe më gjerë janë dëshmi e besueshmërisë dhe profesionalizmit të ndërtuar ndër vite.
“Rritja e vazhdueshme e numrit të ankesave të paraqitura nuk është vetëm tregues i problemeve, por është gjithashtu dëshmi se qytetarët besojnë se zëri i tyre dëgjohet dhe se çdo pretendim trajtohet me paanshmëri, profesionalizëm dhe përgjegjësi”, tha ai.
Ushtruesja e detyrës së Presidentes së Kosovës, Albulena Haxhiu tha se Inspektoriati e ka kryer punën e vet me bindjen se llogaridhënia nuk e dobëson policinë, por e forcon atë.
“Inspektorati Policor i Kosovës u ngrit me një mision që nuk është kurrë i lehtë: të kujdeset që ata të cilët e mbrojnë qytetarin të mbeten vetë brenda ligjit. Një nga detyrat më të vështira që një shtet demokratik mund ta ndërtojë vetë, pra brenda vetes, sepse është e thjeshtë të kërkosh përgjegjësi nga të tjerët, por është shumë e vështirë që shteti ta vendosë të njëjtin standard mbi vetë institucionet e tij”, tha Haxhiu.
Haxhiu gjithashtu u ndal te 2539 qytetarët të cilët në vitin 2025 i janë drejtuar IPK, rreth 500 më shumë sesa vitin paraardhës.
“Kjo rritje është dëshmi e një besimi në rritje, është shenjë se qytetarët po e shohin Inspektoratin si adresë ku mund të drejtohen, ku mund të dëgjohen dhe ku shqetësimet e tyre trajtohen me seriozitetin më të lartë institucional. Ndër qytetarët që janë drejtuar këtë institucioni ndër vite ka qenë qytetarë që vijnë, pra që janë shqiptarë, po ashtu nga komunitetet që nuk janë shumicë në Kosovë, si serbë, turq, boshnjakë, romë, ashkali dhe egjiptianë”, ka thënë ajo.
Kurti: Një polici e fuqishme, kërkon mbikëqyrje po ashtu të fuqishme
Kryeministri në detyrë, Albin Kurti tha se IPK është institucioni jetik për sundimin e ligjit dhe për llogaridhënien në vend.
“Themelimi i Inspektoratit Policor ishte një hap i rëndësishëm drejt ndërtimit të një sistemi të sigurisë që është transparent dhe llogaridhënës para qytetarëve. Një polici e fuqishme dhe e besueshme kërkon një mbikëqyrje po ashtu të fuqishme dhe të pavarur. Dhe pikërisht këtë mision e ka përmbushur ky inspektorat përgjatë këtyre 20 viteve”, ka thënë ai.
Kurti shtoi se shifrat e prezantuara për numrin e ankesave që trajtohen çdo vit tregojnë për një vetëdije të lartë qytetare, por edhe për një besim në rritje ndaj këtij institucioni./rtk/






