Federata e Futbollit e Kosovës ka mirëpritur sot në selinë e saj delegacionin e klubit amerikan “Iowa Soccer Club”, i cili po qëndron për vizitë në Kosovë në kuadër të një programi të bashkëpunimit sportiv dhe kulturor.
Përmes një komunikate për media u bë e ditur se delegacioni amerikan u prit nga presidenti i FFK-së, Agim Ademi, si dhe nga anëtari i Komitetit Ekzekutiv të FFK-së dhe ish-kapiteni shumëvjeçar i Kombëtares së Kosovës, Samir Ujkani.
“Gjatë takimit, mysafirët u njohën nga afër me punën dhe aktivitetet e Federatës së Futbollit të Kosovës, zhvillimin e futbollit në vend dhe progresin e arritur gjatë dhjetë viteve të fundit, që nga pranimi i Kosovës në organizmat ndërkombëtarë të futbollit. Drejtuesit e FFK-së prezantuan rrugëtimin e futbollit kosovar, investimet në infrastrukturë, zhvillimin e ekipeve kombëtare dhe programet për talentet e rinj”, bëhet e ditur në njoftim.
Po tjerash, pas vizitës në selinë e FFK-së, në njoftim u theksua se delegacioni amerikan vizitoi Kampin Nacional të FFK-së në Hajvali, ku u njoh me kushtet moderne të punës dhe zhvillimit të futbollistëve të rinj.
Në kuadër të kësaj vizite, futbollistët e rinj të “Iowa Soccer Club” zhvilluan edhe një seancë stërvitore të përbashkët me trajnerët e programit “Talent Coach”, duke shkëmbyer përvoja dhe duke forcuar lidhjet sportive ndërmjet dy vendeve.






