Institucionet po dështojnë në menaxhimin e situatave me stuhi? Flet eksperti

- Advertisement -

Eksperti i emergjencave, Tahir Ahmeti, ka vlerësuar se Kosova duhet të jetë shumë më e përgatitur për përballimin e stuhive dhe fatkeqësive natyrore, duke theksuar se institucionet kanë përgjegjësi kyçe në informimin dhe mbrojtjen e qytetarëve.

Në Edicionin Special në Klan Kosova, Ahmeti tha se ndryshimet klimatike po i bëjnë stuhitë dhe fenomenet ekstreme gjithnjë e më të shpeshta dhe më intensive, prandaj reagimi institucional duhet të jetë më efikas.

Fenomene të tilla nuk mund t’i parandalojmë, por duhet të jemi gjithmonë të gatshëm që kur ato të ndodhin, të intervenojmë shpejt dhe pasojat të jenë sa më të vogla”, u shpreh ai.

Sipas Ahmetit, Instituti Hidrometeorologjik i Kosovës e kryen rolin e tij duke lëshuar paralajmërime të hershme, por problemi qëndron te institucionet e tjera, të cilat duhet ta përcjellin këtë informacion te qytetarët.

Komunat përmes drejtorive për emergjenca dhe institucionet qendrore duhet ta plotësojnë këtë informacion dhe ta përcjellin te publiku, në mënyrë që qytetarët të dinë se si të mbrohen. Janë të obliguara që kur ka paralajmërime të tilla, t’i informojnë qytetarët”, deklaroi ai.

Ahmeti theksoi se paralajmërimet e fundit për stuhitë ndihmuan që qytetarët të ishin më të kujdesshëm, duke shmangur lëvizjet e panevojshme dhe zonat me rrezik.

Ai u bëri thirrje qytetarëve që gjatë stuhive të mos qëndrojnë pranë pemëve, objekteve në ndërtim, shtyllave elektrike dhe billbordeve, pasi erërat e fuqishme mund t’i rrëzojnë dhe të rrezikojnë jetën.

Eksperti kujtoi se stuhitë e ditëve të fundit kanë shkaktuar dëme në disa komuna të Kosovës dhe kanë marrë edhe jetën e një qytetari, duke theksuar se përballë fenomeneve të tilla kërkohet koordinim më i mirë institucional dhe informim i vazhdueshëm i publikut.

Të ngjashme

Të fundit